Turizmi i qëndrueshëm nuk është i mirë vetëm për mjedisin por edhe për arkën e shtetit

Ndikimi që turizmi i qëndrueshëm mund të ketë në komunitetet pritëse është shpesh i vështirë për t’u matur dhe gjithmonë i vështirë për t’u komunikuar.

Vendoseni veten në vendin e një politikëbërësi në Shqipëri, një vend me 2.8 milionë banorë, dhe mendoni se cili nga këta tituj ka potencialin për të tërhequr më shumë vëmendjen e medias: “10 milionë turistë që priten vitin e ardhshëm” ose “Iniciativat e turizmit të qëndrueshëm përmirësojnë jetesën e Komuniteteve Rurale.”

Ndërsa shpresojmë se do të zgjidhni opsionin e dytë, përgjigja më e mundshme është ajo e para.

Shqipëria nuk është e vetme. Oportunizmi politik i kombinuar me mungesën e të kuptuarit të përfitimeve ekonomike të turizmit të qëndrueshëm kanë bërë që shumë vende të paraqesin veten si destinacione të turizmit masiv. Si mates të suksesit ata konsiderojnë numrin e mbërritjeve, duke injoruar efektet negative që mund të ketë mbiturizmi në vetë asetet të cilët i bëjnë ata tërheqës në radhë të parë.

Këtu hyjnë projekte të tilla si RisiAlbania, të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe të zbatuara nga Helvetas dhe Partners Albania.

Turizmi i qëndrueshëm kërkon koordinim

Në 2018 dhe 2019, RisiAlbania pati një partneritet me firmën zvicerane të konsulencës turistike “Gutundgut”, e cila ndau modelin e Zvicrës për promovimin e destinacioneve me projektin. Duke vizatuar një piramidë në një copë letër, një nga konsulentët e tyre shpjegoi se “në Zvicër, aktorët e sektorit publik dhe privat në nivele të ndryshme koordinohen për promovimin e destinacionit, duke përfshirë fshatrat, rajonet dhe lojtarët kombëtarë”. Kjo rezulton në fushata të fuqishme që përcjellin mesazhe bindëse dhe përkthehen në rritje të numrit të vizitorëve.

Ky nivel koordinimi priret të mungojë në destinacionet në zhvillim. Përcaktimi i grupeve për promovimin e produkteve të qëndrueshme, krijimi i propozimeve për vlera dhe artikulimi i mesazheve tërheqëse përmes kanaleve të ndryshme kërkon dialog publik-privat, një fushë që mund ta mbështesin projektet e zhvillimit.

Çështja është, ku të fillohet: nga lart, duke synuar ndryshimin e legjislacionit në nivel kombëtar dhe mbështetjen e rrjedhës poshtë? Apo në nivel vendor, duke mbështetur praktikat më të mira për të arritur tek vendimmarrësit qendrorë?

RisiAlbania zbuloi se ndërsa ndryshimi i rregulloreve në nivel kombëtar është joshës, është më e mundshme të fillohet në nivel lokal, ku ndryshimet ndodhin më shpejt, duke lejuar gjenerimin e provave që më pas mund të shkallëzohen përmes avokimit. Kështu lindi Shoqata “Visit Gjirokastër”. Projekti mblodhi bizneset nga rajoni për të identifikuar një nevojë urgjente: promovimin e rajonit si një destinacion turistik. Pasi ata u mblodhën rreth kësaj kauze, RisiAlbania i mbështeti në krijimin e një organizate ku bashkitë dhe sektori privat marrin pjesë, për të menaxhuar nevojat që lidhen me turizmin.

Që nga fillimi i saj në 2019, shoqata ka arritur në mbi 80 anëtarë. Përveç shërbimeve të saj kryesore të zhvillimit të produktit, promovimit të destinacionit dhe marketingut, ajo ka nisur një revolucion të heshtur në rajon duke promovuar formalizimin e biznesit.

Çfarë është formalizimi?

Projektet e zhvillimit të turizmit shpesh shohin rritjen ekonomike, ruajtjen ose krijimin e vendeve të punës si objektivat e tyre parësorë. Megjithatë, një aspekt i zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit priret të anashkalohet: efekti i tij i mundshëm në formalizimin e biznesit.

Bizneset që nuk janë plotësisht në përputhje me taksat vendore, punësimin, licencat dhe rregulloret e përgjithshme të biznesit janë të zakonshme në Shqipëri, ku 57% e fuqisë punëtore shqiptare ekziston në një zonë gri. Megjithëse këto biznese ofrojnë mundësi për të fituar jetesën, puna në ekonominë informale shpesh shoqërohet me të ardhura të ulëta, varfëri dhe cënueshmëri. Informaliteti është më i zakonshmi në mjediset rurale.

Një rrugëtim drejt formalizimit në Shqipërinë rurale

Një nga burimet kryesore të të ardhurave të Shoqatës Visit Gjirokastër janë tarifat e anëtarësimit. Në diskutimet e hershme rreth kërkesave të pranimit, anëtarët themelues vendosën që vetëm bizneset e formalizuara do të mund të bashkoheshin me shoqatën. Ndërsa kjo gjë fillimisht do të nënkuptonte anëtarësim më të ulët, drejtuesit e shoqatës prisnin që kjo të ndihmonte gjithashtu në adresimin e çështjes së madhe të informalitetit në sektorin e turizmit. Në të vërtetë, shumë operatorë turistikë luftuan me një model ku investuan bizneset rurale, siç ishin bujtinat, për t’i sjellë ato në standardin e pritur nga turistët dhe më pas nuk ishin në gjendje të zbritnin fiskalisht kontributet e tyre për shkak të statusit informal të bizneseve.

Pas një viti sfidues të shënuar nga një kolaps global i industrisë së udhëtimit, bizneset e vogla kanë kërkuar siguri dhe mbështetje. Visit Gjirokastra mori një rol proaktiv në ofrimin e informacionit dhe udhëzimeve të përshtatura për sipërmarrësit në rajon për masat e shëndetit dhe sigurisë, përshtatjen me ndryshimin e rregulloreve dhe udhëzimet strategjike gjatë fazës së rifillimit të turizmit. Kjo, e kombinuar me një ofertë shërbimi të mirëpërcaktuar që është ndërtuar kryesisht rreth zhvillimit të produktit dhe marketingut, ka sjellë anëtarësim të mbi 80 bizneseve që paguajnë.

Kryetarja e shoqatës Kristina Fidhi tha: “Në dy vite janë regjistruar 45 biznese të vogla dhe të mesme, përfshirë bizneset ekzistuese që donin të bëheshin pjesë e shoqatës dhe biznese të reja fillestare që u frymëzuan nga puna e saj”.

Mundësitë për sektorin publik

Dyzet e pesë mund të duket si një numër i vogël në skemën e madhe të gjërave, por përfaqëson një ndryshim thelbësor në mentalitet, që ka potencialin të jetë transformues.

Formalizimi i biznesit rural është një lajm i mirë për kompanitë që tashmë janë në gjendje të zbresin fiskalisht investimet e tyre në këto biznese, si dhe për autoritetet tatimore vendore. Bashkitë e kuptojnë se tërheqja e turistëve në një rajon ka efekte pozitive ekonomike dhe një nga mënyrat për ta arritur këtë është përmes krijimit të organizatave të menaxhimit të destinacionit (DMO), të cilat priren të financohen kryesisht nga taksat e shtratit. Por me norma të larta informaliteti, Shqipëria ka shumë pak shanse për të krijuar struktura solide nëse bizneset nuk formalizohen.

E rëndësishme është se bizneset formale kontribuojnë gjithashtu në shërbimet publike të ofruara nga bashkitë, si menaxhimi i mbetjeve, një zonë në të cilën Helvetas po punon edhe në Shqipëri nëpërmjet projektit “Bashki të Forta”

Një pikë kthese për turizmin

Pandemia e COVID-19 krijoi sfida të mëdha për bizneset e vogla turistike në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të botës. Por viti i kaluar ka sfiduar shumë ide të mëparshme, në faktin se sa të dobishme ose të dëmshme ishtin për zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të turizmit dhe në mënyrë thelbësore u ka dhënë operatorëve turistikë pak kohë për të rimenduar strategjitë e tyre dhe për të mbledhur mësimet e nxjerra.

Në Gjirokastër, pandemia ka rritur interesin e bizneseve të rajonit për të qenë pjesë e shoqatës. Kur kohët janë të pasigurta, bizneset i drejtohen partnerëve që mund t’u ofrojnë shërbime dhe siguri. Shoqata e përballoi këtë sfidë duke u fokusuar me shpejtësi për të tërhequr turistët rajonalë dhe për të mbështetur biznesin rural për të përshtatur ofertat e tyre, duke vazhduar ndërtimin e një pranie të fortë në rajon që do të nxisë më tej formalizimin e biznesit. Viti 2022 ishte një pikë kthese për turizmin në qarkun e Gjirokastrës. Shoqata punoi ngushtë me shtatë bashkitë dhe prefekturën e qarkut për krijimin e një komiteti koordinues publiko-privat për sektorin e turizmit. Kjo ishte hera e parë që një komitet i këtij lloji ngrihej në një rajon shqiptar me pjesëmarrjen e aktorëve publikë dhe privatë dhe me udhëheqjen e shoqatës. Aktorët po koordinojnë strategjinë dhe aktivitetet e promovimit rajonal. Krahas rezultateve të deritanishme të formalizimit, ky bashkëpunim do të jetë i dobishëm për qëndrueshmërinë e proceseve të formalizimit në planin afatgjatë.

Viti 2022 ishte një pikë kthese edhe për turizmin në Shqipëri. Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) e renditi Shqipërinë vendin e dytë me performancën më të lartë në Barometrin Botëror të Turizmit për vitin 2022, me një rritje prej 19% të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me nivelet para pandemisë nga viti 2019. Megjithatë, kjo sjell rrezikun e mbiturizmit. Aktorët kombëtarë dhe lokalë, me mbështetjen e projekteve udhëheqëse si RisiAlbania, po formulojnë drejtimin e ri të industrisë drejt standardeve të turizmit të qëndrueshëm. Në nëntor 2022, Ministria e Turizmit, palët e interesuara të sektorit privat dhe RisiAlbania organizuan një konferencë mbi standardet e turizmit të qëndrueshëm me pjesëmarrjen e folësve ndërkombëtarë, përfshirë CEO të Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm (GSTC).

Duke përqafuar këtë vizion për rajonin, Shoqata Visit Gjirokastra organizoi gjithashtu një seminar mbi standardet GSTC për bizneset dhe aktorët e turizmit të rajonit. Pesë vetë nga stafi menaxherial dhe anëtarët e shoqatës, kanë ndjekur trajnimin e Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm (GSTC) për menaxhimin e destinacionit dhe hapi tjetër do të jetë mbështetja e shoqatës për të shpërndarë këto standarde dhe për të lehtësuar miratimin e tyre në rajon – duke i çuar këto ide në nivel kombëtar.

Rreth Autorëve

Clara García Parra është një konsulente e pavarur e specializuar në sistemet gjithëpërfshirëse të tregut, zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës. Ajo është e apasionuar pas ekonomisë qarkulluese dhe sipërmarrjes rigjeneruese dhe ka mbështetur biznese në sektorë të tillë si turizmi, agrobiznesi, TIK dhe financat për të pilotuar modele inovative biznesi

Andi Stefanllari, Ph. D., është Drejtuesi i Komponentit në Zhvillimin e Sektorit Privat për projektin RisiAlbania dhe një ekspert i lartë privat i zhvillimit të sistemeve të tregut, me më shumë se 15 vjet përvojë në hartimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve për të rritur konkurrencën në sektorët e ekonomisë private, përfshirë TIK-un. agrobiznes dhe turizmin.

Mirtjon Mita është Menaxher i Ndërhyrjes për Turizmin në RisiAlbania dhe ka punuar me projektin që nga viti 2017. Ai ka përvojë të gjerë në bashkëpunim me biznese private si konsulent dhe në pozicione drejtuese në disa nga sipërmarrjet më të rëndësishme në Shqipëri.

Nga: Clara García Parra, Andi Stefanllari, Mirtjon Mita