Subvencionet për bujqësinë, Rrapaj: Më shumë mbështetje për fermerët

rrapajj

Eksportet në vendin tonë kanë shënuar shifra në rritje kohët e fundit për perimet dhe agrumet por shënohet një rënie në produktet e blegorisë, kjo për  shkak të kostos së lartë për prodhim dhe fondeve të pakta. Skemat e subvencioneve kërkojnë shumë punë dhe bashkëpunim midis të gjithë aktorëve për t’i disbursuar ato. Problemet si mungesa e çertifikatave të pronësisë dhe kooperimit pengojnë në përthithjen e këtyre fondeve nga fermerët. Për këto, kryetari i Këshilli Agrobiznesit Shqiptar ka qënë i ftuar në emisionin “ 7pa 5” në Vision Plus. Ai foli për eksportet, nevojat e tregut vendas, problemet që pengojnë rendimentin e prodhimit, skemat e subvencioneve dhe se çfarë duhet të bëjmë për përthithjen e fondeve.

Intervista e plotë

Sa është niveli i eksporteve këtë vit?

Eksportet kanë një trend në rritje pasi edhe oferta nga vendet ku eksportohet është rritur, janë shtuar edhe vendet për eksport. Arsyeja e rritjes janë produktet cilësore, me një shije shumë të mirë e cila është trashëguar tradicionalisht dhe ka ngelur në kujtesën e shumë importuesve që para viteve ’90, si Polonia, Ҫekia, Hungaria, si edhe Ukrahina kohët e fundit. Edhe ambasadat tona në fushën e diplomacisë ekonomike kanë filluar të bëjnë një punë më konkrete duke promovuar produktet tona në shumë aktivitete që ata bëjnë, gjë e cila nuk është bërë më parë. Ka rreth një vit që ka ndryshuar ky qëndrim.  Diplomacia ekonomike është një element i rëndësishëm që ne po ua shohim rezultatet. Realisht ka një ofertë shumë të mirë, por që prodhuesit tanë i ka gjetur të papërgatitur.  Na ka gjetur të papërgatitur sepse dëshira e madhe për të eksportuar bënë që të shkelim cilësinë, të shkelim standardet dhe eksportojmë produkte  që nuk duhen eksportuar.

Përsa i përket tregut vendas arrijmë që të plotësojmë nevojat tona?

Po ta shohim në këndvështrimin e përgjithshëm asnjëhërë nuk kemi arritur të plotësojmë të gjitha nevojat e vendit për të gjitha produktet që kërkohen. Ne nuk mund ta realizojmë për shumë arsye. Rrjetet tona tregtare, importuesit tanë janë të specializuar dhe kanë tregjet e tyre nga mund të furnizohen me çmime më konkuruese sesa tonat, me nje ambalazh më të mire. Elementi tjetër është kostua. Të gjitha vendet e tjera në krahasim me Shqipërinë kanë një subvencion më të madh për produktet bujqësore.  Këto rrjete vazhdojnë që ta kenë furnizimin nga importi dhe tregu i vendit është i konkurueshëm. Do të përmendja që ata që prodhojnë në bujqësi, në zonat rurale janë rreth 1.2 milion banorë që ushqehen me prodhime vendi, prodhojnë për konsum vetjak, konsum për blegtorinë dhe mbetet një pjesë e vogël për tregun e vendit. Por, kjo pjesë e vogël nuk është në situatën që mund të konkurojnë dhe kompanitë tona të grumbullojnë këtë produkt, pasi është një sasi e vogël, pa kontratë, jo e maturuar siç duhet, e paçertifikuar në përmasat që kërkon tregu. Kur flas për tregun i referohem supermarketeve, jo tregjet që janë shumica informal dhe pa standarde, përjashtuar Pazarin e Ri të Tiranës dhe në Korçë ku janë bërë disa tregje. Tregjet e paformalizuara bëjnë që të mos përmbushim kërkesat  e tregut.

 A mund të themi që prodhojmë për eksport dhe harrojmë vendin tonë?

Nuk është kjo arsyeja, por janë  problemet që unë përmenda që ndikojnë negativisht në furnizimin e tregut me prodhime vendase.

A mund të përmendim një produkt,  i cili qëndron mbi të gjitha produktet që ne eksportojmë?

Rritje në eksport kemi tek perimet në përgjithësi, kemi dhe një trend në rritje tek agrumet, është një rritje nga viti në vit për te mos thënë që i kalon 30%-40% në vit, edhe në eksport si edhe në prodhim, kryesisht tek mandarinat.  Kemi një rënie të eksporteve për blegtorinë, në prodhimet e qumështit dhe mishit. Kjo për arsye se shumë ferma blegtorale kohët e fundit e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre të prodhimit të qumështit. Arsyet janë nga më të ndryshmet por së pari përmendim koston. Shumë fermerë që kanë investuar nuk po marrin atë rezultat që prisnin dhe subvencioni është i papërfillshëm. Ka një ndërhyrje këtë vit, si psh tek qumështi, për të bërë një ndryshim por nuk po vërëhet deri tani me këtë sasi të paktë fondesh. Faktorë të tjerë,  si sëmundjet zoonotike kanë ndikuar negativisht.

Sa janë subvencionet në bujqësi për vendin tonë në krahasim me vendet e rajonit?

Të analizojmë vitin e kaluar. Vjet ka qënë viti më i keq me skemat e subvencioneve. Vetëm 10%  u disbursuan. Arsyet ishin të ndryshme, ku ndikuan edhe ato politike, ndryshimi i stafit herë pas here. Depolizimi është i vështirë por është një domosdoshmëri. Depolizimi në fushën e bujqësisë ose e ndihmon shumë ose e rrënon atë siç po e bën në shumë aspkte.

Këtë vit kemi një rritje,  subvencioni nga buxheti është 20 milion euro por kemi edhe disa skema të tjera. Nga pikëpamja teorike kemi më tepër subvencione për të disbursuar në bujqësi, kemi 93 milion euro nga fondet e e Bashkimit Europian, IPARD 2 dhe buxhetit të shtetit. Kemi projektin SARED që financon 6 rajonet më të varfëra, kemi Risi Albanian që financon nga fondet e qeverisë zvicerane.

 A dinë fermerët t’i përthithin keto fonde dhe a ka struktura që mund t’i mbështesin ato?

Fermerët nuk dinë, ka inisiativa për t’i mbështetur, por për të bërë një aplikim duhet ndërtuar një plan biznesi dhe këtë nuk mund ta bëjë një student apo një studio e vetme por duhet bashkëpunimi  mes disa studiove. Kërkohen studio nga arkitektura, inxhinieria e ndërtimit dhe zbatimit, topograf, zooteknik, inxhinier mjedisi, agronom, veteriner, financier, etj, pra kërkohen një sërë specialistësh të kombinojnë veprimtarë e tyre për të nxjerrë një produkt cilësor. Një student mund të ndikojë pozitivisht në informacion, promovim, por nuk mund të themi se eshtë element kyc. Ata janë një element i rëndësishëm, duhen për të ardhmen, por për të sotmen është e vështirë

Kemi një rritje të sipërfaqjes së tokës së mbjellë?

Nuk është rritur sipërfaqja e tokës së mbjellë, pasi ne nuk kemi stabilizuar akoma çertifikimin e tokës. Nuk kemi stabilizuar aktet  e pronësisë. Për aq kohë sa nuk janë stabilizuar do të kemi këto probleme. Në të njëjtën kohë niveli i mekanizimit është i ulët, kemi mekanikë të vjetër, të amortizuar dhe ky është një problem shumë i madh që duke i shtuar edhe çështjen e çmimit të karburantit, punimi i tokës mbetet aty ku ka qënë. Ne po punojmë fort për të rritur rendimentin e prodhimit, prodhimet për njësi sipërfaqje por jo t’i zgjerojmë nga pikëpamja ekstensive. Kemi këtu diçka pozitive tek pemtaria, po realizohen disa plantacione. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar është përqëndruar fort sidomos për projektet në 100 fshatrat që të kemi plantacoine të reja, ferma të reja blegtorale, projekte të reja të disbursueshme dhe problemi ynë kryesor ka qënë dhe mbetet disbursimi i fondeve.

Maqedonia jep dhjetë herë më shumë subvencione për bujqësinë, në një sipërfaqe më të vogël, Kosova jep pesë apo gjashtë herë më shumë, përmendim edhe Serbinë. Në këto kushte jemi të konkurueshëm dhe në mënyrë të padrejtë. Ne kemi fonde për zonat rurale, kemi instrumente të miratuara tashmë por nuk po realizojmë atë që duhet. Pa çertifikatë pronësie çdo gjë shumëzohet me zero, nuk mund të investosh në një tokë pa pronarë të ligjshëm afatgjatë. Pas zgjidhjes së çështjes së çertifikatave të pronësisë momenti dytë është ndryshimi i formës së organizmit, krijimi i kooperativave.