Qeveria ul taksat për biznesin, lehtësira për agroturizmin dhe bujqësinë

KASAAA

Qeveria ka miratuar një serë ndryshimesh në taksa. Sipas disa projektligjeve, që duhen miratuar në Kuvend, parashikohen lehtësi fiskale në sektorët e agroturizmit dhe bujqësisë. Bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit të paguajnë 5% tatim- fitim.

Ndryshimet parashikon uljen e barrës fiskale për disa sektorë. Taksa kryesore, ku do të ndërhyhet është tatim- fitimi. Nga shtatori parashikohet që 56% e bizneseve të jenë të përjashtuara nga kjo taksë dhe 28% të paguajnë tatim fitim në masën 5%. Ndërkohë që vetëm 16% e bizneseve të mëdha të regjistruara do të paguajnë tatim fitim në masën 15%.

Më konkretisht, qeveria ka vendosur që bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit të paguajnë 5% tatim fitim. Ndërsa për ato mbi këtë nivel, tatimi do të jetë 15%. Gjithashtu, është vendosur që edhe për kooperativat bujqësore, ose ndryshe bashkimin e fermerëve, tatim fitimi të ulet në 5%. Po kaq do të jetë ky tatim edhe për bizneset në agroturizëm.

Në paketën fiskale janë parashikuar gjithashtu edhe lehtësi për investimet në fushën e energjisë diellore dhe në atë të agroturizmit. Ministria e Financave ka parashikuar edhe ndryshime në ligjin e TVSH-së. “Normë të reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera, që ofrohen nga subjekti I licencuar agroturistik. Sektori i agroturizmit do të jetë një ndër prioritetet e vendit, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo edhe me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës.