Faza e dytë e skemës kombëtare të subvencioneve për bujqësinë, Rrapaj: Jemi në fazën vendimtare të proçesit, kërkohet sa më shumë përgjegjshmëri dhe transparencë

rrapaj fax

Tashmë jemi në fazën e dytë të skemës kombëtare të subvencionimit për bujqësinë, fazë e cila është cilësuar si më e rëndësishmja dhe vendimtare për të përfituar. Në këtë fazë të gjithë fermerët duhet të kenë një plan biznesi, një dosje të përgatitur e cila do të vlerësohet nga komisionet e përcaktuara. Kryetari i Këshillit Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, në intervistën e dhënë për Fax News ka theksuar se sa e rëndësishme është që fermerët t’u drejtohen studiove me ekspertë dhe me përvojën e duhur për përgatitjen e planeve të biznesit. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar është angazhuar duke marrë shumë dosje të kthyera mbrapsht, apo të pamiratuara, raste ku u janë kërkuar dokumenta të panevojshme, për t’ia paraqitur ministrit Peleshi, platformës për bashkëqeverisje, kryeministrit, në mënyrë që ky proçes të stabilizohet përfundimisht. Ky proçes duhet të jetë sa më transparent dhe kryetari i KASH theksoi se AZHBR,-ja duhet të punojë në përputhje me misionin e saj, i cili është disbursimi 100% i fondeve.

Intervista e plotë

Çfarë po ndodh me skemën kombëtare të subvencionit dhe me aplikimimet për fondet IPARD të cilat akoma nuk janë hapur?

Këto janë dy skema të ndryshme të cilat kanë një objekt të caktuar. Objekti është të ndihmojnë agrobiznesin, agroturizmin, në zhvillimin e proçesit dhe në rritjen e cilësisë së tyre. Të dyja skemat janë mjaft të rëndësishme, janë pritur me shumë interes nga fermerët. Është bërë një punë e mirë përsa i përket promovimit të tyre, kanë kohë që promovohen dhe tashmë në datën 15 korrik u mbyll dhe skema e fundit kombëtare e cila u ripërsërit për herë të dytë për shkak të cilësisë jo të mirë të projekteve që u paraqitën. Tani jemi në fazën që jemi në pritje të rezultateve nga komisionet e vlerësimit, jemi në pritje të vërejtjeve që ata do të bëjnë, të sugjerimeve të mundshme për të plotësuar dosjen, presim me padurim dhe rezultatet finale të atyre projekte për të cilat ka mbaruar vlerësimi. Pra, jemi në nje proçes ku njëra palë punon, pra vlerëson, dhe pala tjetër në pritje të përgjigjeve dhe sugjerimeve nga AZHBR- ja.

Në studion e Fax News kanë ardhur ankesa, fermerë që ankohen se inspektorët po i përjashtojnë edhe përsa i përket distances së mbjelljes së pemëve të ullinjve nga njëra – tjetra. A ka ndryshime të tilla në rregulla si kritere për të përfituar?

Nuk mund të vendosë inspektori për distancën për mbjelljen e pemëve por ka një projekt paraprak. Teknikët që kanë bërë projektin e kanë menduar në bazë të asaj çka do kultivohet. Janë teknikët ata që vendosin, janë aplikuesit dhe në fund  nëse do të ketë vërejtje dhe mesa di nuk ka të tilla kufizime dhe nuk mund të ketë pasi  kultivarët në dallim nga njëra – tjetra kanë distanca të ndryshme dhe nuk besoj se do të jenë pjesë e një udhëzimi. Mendoj se është një bisedë informale midis inspektorëve si arsye për të mos e kuakifikuar, por nga informacionet që kemi nuk ekziston një kriter i tillë kualifikimi. Elementët s’kulifikues janë të përcaktuar qartë dhe në udhëzim nuk ka një kriter të tillë.

Fermerët duhet të kenë frikë nga këta lloj sekserësh?

Fermerët duhet të jenë të kujdesshëm në ballafaqimet që duhet të bëjnë, të mos mendojnë dhe të presin çdo fjalë që thonë inspektor të ndryshëm si të vërtetë, por ta verifikojnë atë me studion përkatëse dhe mund t’i drejtohen edhe KASH-it dhe AZHBR-së për paqartësitë që kanë. Individë të veçantë, të painformuar apo keqdashës të mos u bëjnë presion të padrejtë me elementë që nuk janë s’kualifikuese. Nga kjo pikëpamje, duhet parë rasti konkret por e përgjithshmja është që elementet s’kualifikues janë të përcaktura në udhëzim dhe vendimet e qeverisë për skemat dhe dokumentacionet e IPARD-it. Në raste të tilla mund të bëhet ndryshimi i projektit, pra nuk ka lidhje me kulifikimin. Këtu kemi një paqartësi, duhet të dimë mirë cila është ankesa, ta shohim atë dhe pastaj të japim një përgjigje përfundimtare.

Sa janë fermerët që do të përfitojnë realisht nga skema kombëtare, pasi në fazën e parë kemi një numër të konsiderueshëm fituesish. Si do të funksionojë?

Jemi të detyruar që të qartësojmë të gjithë situatën. Faza e parë ishte një fazë aplikimi pa dokumentacion, thjesht me regjistrim te emrave përkatës dhe të ideve që ata kanë. Në momentin që janë përcaktuar prioritetet apo kërkesat dhe inisiativat e ndërmarra përputhen me prioritetet, atëherë u shpallën si fitues e gjithë kjo masë fermerësh të cilët kishin aplikuar. Por për ta përfituar subvencionin dhe të lidhësh kontratën kërkohen një sërë dokumentash, këtu lind vështirësia. Janë disa kritere të përcaktuara, psh; s’duhet të jesh debitor në banka apo tek AZHBR-ja, të kesh figurën e pastër në organet ligjzbatuese, të kesh një plan biznesi shumë të mirë, të kesh mundësi financiare për ta realizuar 100% , këtë me ndihmën e kredive apo me burimet e veta dhe aftësitë e nevojshme për ta zhvilluar këtë proçes. Tashmë që kontrata lidhet lindin edhe këto lloj problemesh. Në këtë fazë pavarësisht ideve të mira që janë hedhur më parë, mjaf projekte nuk janë pëlqyer nga AZHBR-ja dhe kjo ka bërë që të dështojë edhe faza përsa i përket dhe projekteve të agroturizmit. Për këtë arsye u ribënë dhe njëhërë kërkesat dhe në datën 15 korrik u mbyllën dhe aplikimet e fundit. E kemi përsëritur shumë herë, përfitimi i fondeve grant nuk është proçedurë e lehtë. Nxitja që u bë në fillim fermerëve apo investitorëve të agros për të aplikuar është pozitive për të qënë më konkurues. E gjithë vëmendja duhet përqëndruar në fazën e dytë pasi faza e parë ka që në vitin 2008 që është promovuar, ndërsa faza e dytë, përgatitja e dokumentacionit është faza më vendimtare  e proçesit, faza më e rëndësishme. Duhen angazhuar studio të specializuara, ekspert me përvojë, të mos ketë sekserë, pasi janë të papërgjegjshëm dhe kjo fazë nuk pranon absolutisht papërgjegjshmëri. Prandaj është e domosdoshmë që studiot të jenë të përgjegjshmë dhe i kërkojmë AZHBR-së që  të mbajnë marrëdhënie të rregullta zyrtare, ku tu drejtojë atyre të gjitha vërejtet që kanë, të gjitha sugjerimet që projektet të bëhen sa më konkurues dhe fitues. Mungesa e komunikimit mund të çojë në dështimin e projekteve dhe padrejtësisht. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar është angazhuar duke marrë shumë dosje të kthyera mbrapsht, apo të pamiratuara, raste ku u janë kërkuar dokumenta të panevojshme, ne do t’i mbledhim të gjitha këto dosje dhe do t’ia paraqesim ministrit, platformës për bashkëqeverisje, kryeministrit, në mënyrë që ky proçes të stabilizohet përfundimisht dhe këta njerëz që merren me vlerësimin e mundit dhe djersës së fermerëve dhe me fondet, të jenë sa më të përgjegjshëm.

Papërgjegjshmëria e tyre do t’i kushtojë fermerit, buxhetit por edhe vetë atyre. Deri sot, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për ata që kanë bërë gabime dhe kanë dështuar. Shpresoj që në vijim të ketë ndëshkime për të gjitha palët, jo vetëm ai që s’ka bërë mirë projektin apo plotësuar dokumentaconin, por edhe ata që nuk kanë bërë vlerësimin e duhur. Shoqatat anëratë të KASH, aktivistët e KASH do të bëjnë të gjitha përpjekjet në mënyrë të tillë që gabime të tilla të minimizohen në këtë fazë të dytë kaq të rëndësishme.

Në ankesat që ju kanë ardhur cilat kanë dominuar dhe a do të mbulojë granti i përfituar të gjitha kostot e shpenzuara për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim?

Përgatitja e dosjes ka kosto dhe kjo kosto është e lidhur ngushtë me cilësinë. Një dosje me cilësi nuk mund të jetë pa kosto, pasi nuk mund të bëhet pa ekspertë të kualifikuar, nuk mund të bëhët nga ekspertë të papaguar, pasi ai që nuk paguhet nuk mban përgjegjësi për punën që bën. Kostua vendoset në funksion të tregut. Janë disa studio, fermerët dhe investitorët janë të lutur të kontaktojnë disa prej tyre dhe të zgjedhin më të mirën, atë që besojnë, që bashkëpunon më mirë, atë që i mbron, është serioze dhe ka një eksperiencë. Patjetër që granti i mbulon shpenzimet, IPARDI e ka të përcaktuar qartë koston e projektit. Nga kjo pikëpamje ja vlen të harxhosh një sasi fondesh minimale për përgatitjen e dosjes por kjo është e lidhur ngushtë me kontratën. Ata që përgatisin dosjen duhet të kenë një kontrat, në mënyrë të tillë që të shpëtojnë njëri- tjetrin nga përgjegjësia. Një shqetësim që ne kemi aktualisht ka të bëjë me preferencat, AZHBR ja nuk duhet të ketë preferenca për studiot por për cilësinë. Kemi marrë ankesa nga shumë operatorë, të cilët kanë sugjerime nga ekspertë të AZHBR-së për studiot që ata pëlqejnë. Monopolizimi i shumë projekteve në një apo dy studio të çon në llogjikën që kemi të bëjmë me një lidhje të shkurtër, e cila duhet ndërprerë. Duhet të jetë një proçes transparent. Ata që dijnë të bëjnë këtë punë duhen të mbështeten, të mirëkuptohen. Udhëzimi është konkret, studimi është real, vendimi i qeverisë po ashtu dhe nuk kërkon shume punë për të vlerësuar një dosje. Kritika jonë në vitet e kaluara nuk është dëgjuar, por në takimin që kemi bëre me ministrin dhe drejtoreshën e AZHBR-së, ne i kemi theksuar këto probleme, kemi theksuar që punonjësin e AZHBR se nuk duhet të jenë pjesë e studiove që bëjnë këto projekte, sepse ata janë vlerësuesit e dosjes dhe nuk mund të jesh vlerësues i vetëvetes. Çdokush që bënë një dosje muntùd të paraqitet tek Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Enti Kombëtar Rural, apo në studio të ndryshme që kanë aktivitet ekonomik apo teknik dhe eksluziv në zgjedhje është ai që aplikon, është e drejta e tij për të zgjedhur studion për të aplikuar. Rekomandimet e AZHBR-së, sipas mendimit dhe përvojës sime nuk ndikojnë pozitivishtë në këtë proçes, ndikojnë në klientelizëm dhe kanë pasoja të mëvonshme. Nuk e di sesi do të ndihen ata individë që  rekomandojnë studiot për të përgatitur dosjet nëse projekti nuk miratohet, këtu lind një proçes kontradiktor midis punonjësve të AZHBR-së dhe aplikuesve. Për këtë arsye punonjësit e AZHBR-së duhet të shohin objektin që kanë në kontratë, pasi kjo nuk është kompetenca e tyre. Të gjithë ata që aplikojnë duhet të jenë të qartë në këtë çështje, pasi konfliktet dhe keqkuptimet mund të jenë të formave të ndryshme mbas këtij proçesi.

Ju pak më parë folët mbi ndëshkimin e këtyre personave, a ka një ligj ku mund të parashikohet forma e ndëshkimit?

Detyra kryesore e AZHBR-së është të disbursojë 100% fondet. Nëse nuk disburson fondet, nuk ka realizuar detyrën dhe ka të bëjë me shpërdorimin e saj. Nëse ata kanë marrë pjesë në përgatitjen e dosjeve, kanë marrë pjesë në gjithë proçesin e promovimit, të këshillimit dhe në vlerësim, në fund çështja rezulton negative. Atëherë kemi të bëjmë me  një shpërdorim të pastër të detyrës dhe personi i cili nuk do ta realizojë këtë nuk ka pse ta mbajë vendin e punës. Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë më filozofinë e drejtimit të AZHBR-së. AZHBR-ja duhet të drejtohet si një institucion i cili ka për detyrë të disbursojë dhe të çojë fonde tek fermerët, tek investitorët. Ky është vendim qeverie, qeveria ka vendosur 20 milion euro që duhen t’i marrin fermerët. Nëse jo, mendoj nuk është faji i fermerëve që nuk disburohen fondet por është faji i institucionit që nuk i disburson ato fonde.  Po marr shembull vitin e kaluar, nuk kishin faj fermerët që u arrit të disbursohej vetëm 10% e fondeve, ishte faji i institucioneve publike, të cilat për arsye të tyre nuk mundën të disbursojnë fondet. Mosdisbursimi i fondeve dhe këtë vit, përsëri do të jetë një element shumë i rëndësishëm. Për çfarë dua të tërheq vëmendjen?

Tërheq vëmendjen për kohën e kufizuar që kemi, jemi shumë vonë. Kur do të realizojnë projektet e investimeve ata që do të përfitojnë projekte investimi? Si do ta relizojnë projektin kur deri në datën 31 dhjetor kontrata duhet të jetë e ralizuar? A mundet që të gjithë ata ta bëjnë këtë? Nga eksperienca që unë kam nuk munden ta realizojnë. Ka pasur një shtyrje të afatit në tremujorin e vitit në vazhdim por kjo do të jetë një mbingarkesë e punonjësve të AZHBR-së, të cilët do të angazhohen dhe në tremujorin e parë dhe hap pas hapi do të shtyhet i gjithë proçesi, vit pas viti dhe kjo nuk është korrekte. Prandaj është e domosdoshme që ne të kthehemi dhe ta shohim këtë vit si një vit bujqësor dhe jo kalendarik. Ta fillojmë më 31mars dhe të mbyllet më 31 mars të vitit tjetër, në mënyrë që të kemi një vit të plotë kalendarik, bujqësor, për të realizuar proçesin e disbursimit fondeve. Unë e shoh të vështirë për kohën që kemi, pasi stafi i AZHBR-së sipas pritshmërive mendohet të futet në proçesin e vlerësimit dhe aplikimit për IPARD-in në muajin shtator, por nëse do përplasen të dyja do të kemi mjaft probleme.

Si do të ndikojë ulja e TVSH-së prej 6% për agroturizmin dhe a janë të  gatshëm dhe të regjistruar me NIPT të gjithë ata për të përfituar nga kjo ulje fiskale?

Jemi përballë një aplikimi të ri, përballë një fushate të re promovuese për agroturizmin. Është gjëja më e mirë që po bëhët. Kjo fushatë po mbështetet fuqishëm dhe nga qeveria, po mbështetet dhe nga kryeministri me shumë prioritet. Unë shpresoj te agroturizmi, por ne jemi të papërgatitur për të disbursuar fonde të kësaj natyre, me këto rregulla që ne nuk i kemi të mirëpërcaktuara. Hapi i parë ishte mosaplikimi për skemën kombëtare, do shohim çfarë do të ndodhë dhe me skemën e IPARD-it që është më e gjerë.

Por, ulja e TVSH-së me 6 %, trajtimi i objekteve të agroturizmit  nësoj si ato të turizmit dhe lehtësi të tjera që janë parashikuar në programin  “100 fshatrat”  dhe mandej në gjithë zonën rurale, tërheqin vëmendje për këtë proçes. Por nuk e shoh si shpëtimtar, sepse ky proçes do të ndihmojë ata që prodhojnë dhe do të kenë në një treg më shumë për të shitur produktet e tyre, sidomos ato natyrale. Do të kemi më shumë vëmendje dhe lëvizje por problematika e kësaj është mjaft e gjerë dhe kërkon më shumë kohë për t’u trajtuar.