Vaji i ullirit ka siguruar tregun/ Prodhuesit rrisin cilësinë, vendet e rajonit në krizë

Eksportët e vajit të ullirit shqiptar kanë shënuar një rritje me 600 përqinnd duke krahasuar 8 muajt e parë të vitit 2022 dhe të njëjtët muaj 2023, e thënë ndryshe, për 8 muajt e parë të vitit të kaluar janë eksportuar vetëm 60 litra ndërkohë që në 2023 janë eksportuar 4400 ton vaj ulliri kryesisht drejt Italisë.

Zv ministri i Bujqësisë, Enio Civici thekson se kanë qenë marrëveshjet e lidhura mes fermerëve shqiptarë dhe atyre Italinë që u lidhen pas takimeve që u zhvillua mes dy ministrave homologë të bujqësisë, në mars të këtij viti.

“Nga ai moment, një grup teknik ka shkuar në të gjithë Shqipërinë, për të matur nivelin e aciditetit të vajit për të vendosur nëse ishte i gatshëm për treg apo jo dhe më pas ka marrë vajin për ta eksportuar” tha Civici.

Një tjetër aspekt i cili ndihmoi Shqipërinë në eksport ishte edhe se prodhuesit më të mëdhenj të ullirit në Europë, Italia dhe Spanja u përballën me ulje drastike të prodhimit të vajit.

Për zv. Ministrin, tashmë sfida e vendit tonë është që të vijojmë të mbajmë këtë sasi eksporti.

“Ajo që po punojmë është që të konsolidojmë këtë rrugë të eksportit të vajit të ullirit duke garantuar investime në teknologji, duke bashkuar fermerët të ofrojnë cilësi, shprehet Civici .

Ndërkohë që prej janarit 2023 ka nisur faza e konsultimeve me fermerët për nxitjen e skemës së bashkimit të ullishtave dhe krijimin e markës së certifikuar të vajit të ullirit sipas rajoneve.