Tregu i Rrogozhinës po vret shqiptarët, kafshët theren rrugëve në ditën e pazarit

Rrogozhine

Pamjet që do të shikoni në videon e mëposhtme, nuk duan shumë koment. Papërgjegjësia e institucioneve vendore dhe konkretisht në këtë rast, e Bashkisë Rrogozhinë arrijnë kulmin. Tregu i Kafshëve të Gjalla që zhvillohet çdo të shtunë pranë Urës së Rrogozhinës, përveç faktit që nuk plotëson asnjë standard për të garantuar një prej pjesëve të zinxhirit të sigurisë ushqimore, herë-herë kthehet edhe në një “thertore portative ilegale”. Siç e shikoni në këto pamje, gjatë monitorimit të ditës së sotme, pranë urës së Rrogozhinës, ngjitur me tregun e kafshëve, dy të rinj po bëjnë kasaphanë. Një dele e therur, e shtrirë në tokë, një tjetër e varur në çengel dhe disa të tjera të lidhura presin pak metra më larg radhën për në “gijotinë”.

Në kuadër të zbatimit të projektit “Tregjet e kafshëve të gjalla, shkak për cënimin e sigurisë ushqimore”, mbështetur nga Lëviz Albania, shkuam për herë të dytë në tregun e Rrogozhinës. Kushtet e tij jovetëm që nuk kanë ndryshuar e asnjë institucion duket qartë që s’ka ndërmend të merret me të. Bashkia duket që as nuk e ka në konsideratë e po kaq, Ministria e Bujqësisë, e cila harton politikat, standardet dhe që monitoron institucionet që duhet t’i zbatojnë. Por, në këtë material, nuk do të merremi me situatën në treg, por me fenomenin që përseritet shpesh e që është xhiruar dhe sot nga kamera jonë, në kuadër të monitorimit. Duket qartë, që në treg janë blerë disa krerë të imëta dhe prej aty, janë dërguar vetëm pak metra, pranë këmbëve të urës dhe ku po theren. Ajo që vërehet është se, asnjë prej kafshëve nuk ka matrikull, gjë që tregon se ato janë të pakontrolluara, pa origjinë dhe pa historikun e shëndetit. Edhe pse në këtë gjëndje, veterinerërt zyrtar të këtij tregu, të cilët janë pjesë e Shërbimit Veterinar të Bashkisë Rrogozhinë, i kanë lejuar këto kafshë të futen në treg, të blihen nga dikush e prej aty të dalin e të dërgohen tek “kasapi provizor”. Ky i fundit, siç duket qartë, i ther ato në anë të rrugës, pa kurrfarë problemi apo rreziku se dikush nga institucionet shtetërore po ndërhyn. Pamjet dhe kushtet ku theren ato nuk duan shumë koment.

Edhe gjatë monitorimit të parë në këtë treg, më 18 mars 2018, e lajmëruam se Tregu i Rrogozhinës është shndërruar në një laborator të infektimit të njerëzve nga sëmundjet zoonotike.

rrog

Edhe gjatë monitorimit të parë në këtë treg, më 18 mars 2018, e lajmëruam se Tregu i Rrogozhinës është shndërruar në një laborator të infektimit të njerëzve nga sëmundjet zoonotike.

Ndoshta pikërisht për këtë heshtje të bashkive, që sfidojnë hapur ministritë, kryeministrin, mediat e mbi të gjitha konsumatorin, ndodh pikërisht kjo situatë që shohim sot: Mish, gjak, kafshë të therura rrugëve, të pakontrolluara, që hyjnë ë dalin në tregje lirshëm.