Çërravë dhe Voskop, institucionet në Pogradec dhe Korçë, ping – pong përgjegjësish, konsumatori në rrezik

Tregjet e kafshëve të gjalla në Çërravë të Pogradecit dhe Voskopit (Turan) në Korçë, dy nga më të mëdhatë në vend dhe në rajonin e Korçës, vazhdojnë të funksionojnë jashtë çdo kontrolli.  Prej degadash, në këto pazare hyjnë e dalin, shiten e blihen bagëti të ndryshme, jashtë çdo standarti tregëtimi të kafshëve të gjalla. Megjithëse në këto kushte të patolerueshme dhe të ngritura si shqetësim edhe më herët, pushteti vendor duket i pafuqishëm për të ndërhyrë.

Tregjet Çërravë dhe Voskop u panë nga afër edhe nga ekspertë të tregjeve dhe sigurisë ushqimore, të cilët lëshuan alarmin për situatën. Në kuadër të projektit “Tregjet e kafshëve të gjalla, shkak për cënimin e sigurisë ushqimore”, të mbështetur nga Lëviz Albania, u monitoruan tregjet në fjalë e për këtë iu dërgua edhe nga një letër e hapur me disa pyetje kryetarëve të Bashkive, në këtë rast Pogradec dhe Korçë. Përgjigjia erdhi vetëm nga Pogradeci, ku thuhej se, “Bashkia e kishte të pamundur financimin për shkak të fondeve të mëdha që kërkon ndërtimi i një tregu të tillë, ndërsa Çërrava është treg privat”.

Pas alarmit për situatën, Prefekti i Koçës Dhori Spirollari mblodhi krerët e bashkive, por deri tani, asnjë ndryshim, përveç ping-pongut institucional.

Tri ditë më parë, Vladimir Jaçellari, Përgjegjës i Shërbimit Veterinar në Bashkinë Pogradec tha se, ishte në dijeni të situatës në Tregun e Çerravës. “Mund të them që nuk plotësohen kushtet, siç e kërkon ligji. Kushtet tjera nuk plotësohen. Dhoma e veterinerit mungon, lavazhi për pastrimin e dezinfektimin mungon, tregu duhet të jetë i shtruar, i mbuluar, por edhe këto mungojnë. Shqetësimi më i madh është se, kafshët futen pa matrikuj e certifikata veterinare. Ky është problem më i madh, pasi ne si pushtet vendor ushtrojmë kontrollin aty dhe nuk duhet t’i lejojmë këto kafshë pa certifikata. Por, i lejojmë pasi krijojmë një problem social. Blegtorët anklohen se nuk kanë ku t’i marrin certifikatat veterinare. Ne do përpiqemi që të enjtet në vijim të mos i lejojmë kafshët e pamatrikulluara, por që është shumë e vështirë, e për këtë duhet të lajmërojmë policinë e shtetit”, tha Jaӓellari, duke akuzuar indirect Drejtorinë e Bujqësisë Korçë për mosmatrikullim të kafshëve e mospajisje me certifikata veterinare.

Ndërsa Adriatik Skenderasi, Shef i Shërbimit Veteriner në Drejtorinë e Bujqësisë thotë se, “jemi në dijeni të lëvizjes së kafshëve pa certifikata e matrikujt”. Por, sipas tij, barrikada kryesore duhet të jetë veterineri i Bashkisë që kontrollon tregun. Ai duhet ta ndalojë që te porta e hyrjen e kafshëve pa matrikuj. Ne si Shërbim Veterinar i Drejtorisë së Bujqësisë iu kemi dërguar shkresa dy bashkive, Pogradec dhe Korçë, pasi kushet dhe standardet janë të përshtatshme.

Edhe prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, akuzat i lëshon drejt bashkive, si përgjegjëset për këtë situatë. “Ne jemi në dijeni të kësaj dhe është e patoleruueshme që kafshët e gjalla të tregtohen pa matrikuj dhe pa ςertifikata veterinare. Pikërisht për këtë duhen bërë dhe rrethimet e tregjeve, siç është Çërava, që kontrolli të bëhet që te porta. Veterinerët e bashkisë duhet të ushtrojnë kontrollin e tyre siç e përcakton ligji dhe të mos lejojnë hyrje-daljet e kafshëve pa matrikuj”, thotë Spirollari.

Gjithësesi, situata në dy tregjet, Çerravë dhe Voskop është e njëjta, megjithë përpjekjet e prefektit, apo akuzave të ndërsjellta të institucioneve për përgjegjësitë.