Pas 28 vitesh funksionimi, investohet për herë të parë në tregun e kafshëve të Rrogozhinës

Pas gati 3 dekadash, që kur Tregu i Kafshëve të Gjalla në Rrogozhinë ka nisur të funksionojë si i tillë, bashkia e këtij qyteti dhe administratori i tregut, kanë nisur investimet. Pak javë më parë, Bashkia e Rrogozhinës ka akorduar një fond prej afro 4.5 milionë lekësh për investime në këtë treg, ndërkohë që ka ndryshuar dhe ditën e oraret e tregtimit të kafshëve në të.

Në kuadër të Projektit “Monitorimi i Tregjeve të Kafshëve të Gjalla, si shkak për cënimin e sigurisë ushqimore”, të mbështetur nga Lëviz Albania, tregu i Rrogozhinës u monitorua më 18 mars 2018 dhe pak ditë më parë, pikërisht më 14 shtator 2018 pasdite.

Megjithë investimin modest të nisur e të papërfunduar ende, kushtet janë ende të papërshtatshme dhe që rrezikojnë konsumatorin. Eksperti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Edi Fero thotë se, në treg ka një ndryshim, pasi është rrethuar pjesa e tregtimit të kafshëve, është ndërtuar porta hyrëse dhe disa ndarje. Por, sipas tij, situate është e njëjtë me monitorimin e parë në muajin mars. “Në treg hyjnë e dalin kafshë të pamatrikulluara dhe pa certifikata veterinare, ndërsa mjeku veteriner nuk duket, që t’i ndalojë që në hyrje, meqë është vendosur dhe porta. Aty qëndrojnë dy policë privatë, të cilët vetëm mbledhin lekët për hyrjen e blegtorëve apo tregtarëve që shesin e blejnë. Ndërsa mungon sistemi i regjistrimit të lëvizjes së kafshëve (RUDA). Disa pjesë të tregut janë shtruar me çakull dhe zhavorr dhe janë ndarë hapsirat me rrjeta, ndësa ka përfunduar dhe rrethimi, por kjo nuk mjaft”, thotë Fero, sipas të cilit, dhe mjetet e transportit të këtyre kafshëve nuk janë të miratuara si të tilla.

Megjithatë, nisma e Bashkisë Rrogozhinë duhet përshendetur, pasi megjithë presionet e institucioneve që pas viteve 90 e deri te deklaratat e ashpra të kryeministrit Rama në vitin 2016 për tregjet e kafshëve, ky është rasti i parë i një investimi, sado modest, i cili ka bërë që tregu i kafshëve të ndahen nga pjesa tjetër e tregtimit të veshëmbathjeve, produkteve të ndryshme ushqimore apo perimeve.

Ndërkohë, Bashkia Rrogozhinë ka vendosur që tregtimi i kafshëve të mos bëhet në ditën e zakonshme e të njohur nga gjithë fermerët e zonës, pra të shtunave. Por, ky treg do të funsionojë për kafshët e gjalla, ditëve të premte pasdite, ndërsa për pjesën tjetër, produkte ushqimore e veshëmbathje, edhe të shtunave. Madje, të premteve do të funksionojë edhe natën.

Bujar Aliu, administratori i këtij tregu thotë se, pas pak ditësh do ta shohim tregun e bagëtive me një tjetër pamje. Sipas tij, pas thrimit të çakullit e zhavorrit, tregu do të asfaltohet, me qëllim dhe dezinfektimin më të lehtë. “Për momentin mbaruam një investim me tregun e bagëtive dhe pas pak ditësh do ta kemi edhe me ndriçim, për të funksionuar edhe natën. Kemi afruar linjat për furnizimin me energji, po shtrijmë rrjetin e brendshëm dhe pas ditësh do të jetë dhe i ndriçuar e asfaltuar”, thotë administratori Bujar Aliu.

Megjithë këtë ndërhyrje, e cila padyshim sipas ekspertëve nuk është zgjidhja e duhur që i jep fund problemit, jashtë territorit të tregut, edhe ditëve të shtuna, blegtorë të ndryshëm sjellin kafshët e tyre për t’i shitur dhe që janë pa asnjë kontroll të mundshëm. Madje, sic e kemi publikuar edhe pak ditë më parë, aty vazhdon dhe therja e kafshëve e nuk bëhet asnjë ndërhyrje.