Ecuria e bujqësisë, arritjet dhe problematikat që e shoqërojnë

Kontributi i bujqësisë në ekonominë e vendit ka ardhur duke u rritur në vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave. Sipas tyre, kjo ka ardhur në sajë të mbështetjes në këtë sektor. Fondi i rimbursimit në bujqësi llogaritet në 22 milion dollar, me përjashtim të IPARD 2 që pritet të ҫelet së shpejti. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur me tone të ashpra dhe kritika ndaj udhëheqësve për kohën se kur fermerët do të mund t’i përfitojnë këto fonde. Kryetari i Këshillit Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, me anë të kësaj interviste flet për ecurinë e bujqësisë, na tregon mangësitë dhe vështirësitë që hasin fermerët për të përfituar nga skemat e subvencionit, rëndësinë e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor dhe nevojën e një stafi të kualifikuar për t’i administruar ato. Më tëj kryetari i KASH vijon me kritikat dhe kërkesat se ҫfarë mund të bëjmë më shumë në mbështëtje të bujqësisë.

Në vlerësimin tuaj si ka qënë ecuria e bujqësisë në 8-mujorin e parë të vitit?

Bujqësia vazhdon të zhvillohet dhe fermerët vazhdojnë të punojnë me gjithë vështirësitë që i shoqërojnë. Shifra që ju përmendët është një përceptim që mbështet dhe i përshtatet konkluzionit që unë them, por bujqësia ka shumë probleme dhe shumë vështirësi të cilat zgjidhen duke i mbështetur por edhe kritikuar ata që punojnë.

A po e merr bujqësia vëmendjen që meriton duke qënë se është sektori ku punësohen më shumë se gjysma e forcës së punës në vendin tonë?

Në vendin tone, në këto 20 vjet në tranzcion, bujqësia ka ruajtur ritmin dhe është në rritje, pra nuk ka tendencë ulje. Ne kemi asete të mëdha në bujqësi, të papërdorura siҫ duhet, pa përdorur efiҫencën që kërkohet në to, por problemet gjithmonë kanë ngelur në kurriz të fermerit sepse jemi i vetmi vend që financojmë më pak se të gjitha vendet e tjera të rajonit. Jemi i vetmi vend që kemi një mekanikë të dobët  bujqësore, përsa i përket cilësisë dhe teknologjisë, kemi një parcelizim të madh të tokës dhe në të njëjtën kohë për të rritur prodhimin po përdoren shumë pesticide dhe për t’u ruajtur nga sëmundjet shumë antibiotik.

Përsa i përket fondit prej 22 milion dollarësh, sa fermerë janë subvencionuar?

Do ta shoh këtë në dy pikëpamje. Së pari nga pikëpamja e planifikimit të fondeve për bujqësinë, kujdesi dhe promovimi që i është bërë këtij planifikimi është për t’u lavdëruar. Fonde mbështetëse për buqësinë ka edhe nga skema dhe projekte të tjera, ndërsa problemi i disbursimit është një ҫështje tjetër që nuk i është gjetur zgjidhje dhe nuk po përshtatet apo përputhet me atë ҫfarë ne presim. Po e filloj me skemat kombëtare, të cilat ofrojnë 52 mbështetje në sektor të ndryshëm të bujqësisë, Fillimisht janë shpallur fitues rreth mbi 6 mijë fermerë të vegjël.

Po të krahasojmë shifrat më vitin e kaluar që përfituan vetëm 10%, këtë vit kjo shifër është më e lartë.  Faza e dytë që është më e rëndësishme është koha e disbursimit.  Më e rëndesishme është se kur do t’i marrin këto fonde sepse nuk duhen marrë ateherë kur ka ikur koha e prodhimit. Në këtë rast do të ulej efiҫenca e këtyre fondeve, ne nuk ua japim paratë fermerëve kur  atyre u nevojiten.

Cilat janë pengesat në subvencionimin e fermerëve?

Grupet e punës së AZHBR-së që punojnë në terren kanë një mbingarkesë të madhe në një kohë të shkurtër, nuk arrijnë dot që të bëjnë verifikimet e nevojshme, pa u bërë verifikimi nuk mund të bëhet pagesa. Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me faktin që në fillim pati një dyndje të aplikkimeve sepse ishte pa dokumentacion. Kanë punuar pak studio të specializuara, pak ekspertë dhe jemi përqëndruar më shumë tek promovimi që i është bërë procesit, por jo tek programet konkrete. Kryeministri Rama shprehu shqetësimin se kur do t’i marrin paratë fermerët. Nëse ata do t’i marrin fondet kur fushata e prodhimit ka ikur ky është një problem shumë i madh. Vjeshta është periudha më e rëndësishme, për mbjelljen, korrjen, për përgatitjen e tokës, përgatitjen e blegtorisë dhe ata fermerë që kanë aplikuar për blegtorinë, serat apo produkteve të tjera të perimeve i duan tani këto fonde. Vlerësimi im  është që nuk është punuar sa duhet që AZHBR-ja t’i disbursojë fermerët në kohën e duhur.

Janë një sërë dokumentash, një dosje e tërë që duhet përgatitur dhe këtu është gjithë konflikti që ne kemi. Skema është mjaft e rënduar, pasi janë 52 masa. Në këto janë një sërë dokumentash që duhen plotësuar dhe studio që punojnë të cilat nuk kanë garanci, pasi propabiliteti për të fituar është i vogël. Vetëm 10 mijë ferma janë të formalizuara. Duhet ndryshuar skema e organizimit, me anë të krijimit të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor. Sot SHBB-të janë e vetmja formë organizimi, ku mund të grumbullohen shumë fermerë dhe mund t’i shërbejmë shumë sektorëve në mënyrë zinxhir dhe efiҫent.. Duhet të ketë informacion që ato studio apo ekspertë që kanë punuar të dinë se ҫfarë mund të rregullojnë. AZHBR-ja nuk ka pasur një komunikim korrekt me ne, pasi ne kemi punuar me fermerët, kemi bërë disa aplikime dhe modele sesi mund të disbursohen fondet. Kur flas për SHBB-të, them se ato janë të vetmet forma organizimi që mund të shfrytëzojnë asetet që ne kemi. Aktualisht ne kemi tokë të papunuar prej vitesh, pyje dhe livadhe të pashfrytëzuara, mbetje organike që hidhen në natyrë, të cilat dëmtojnë shëndetin e njerëzve dhe nuk ka asnjë linjë që t’i përpunojë ato. Ne kemi asete përsa i përket bimëve medicinale, frutave të pyllit, rritjes së bletarisë, etj. Të gjitha këto së bashku po t’i kombinojmë shnërrohen në një potencial të madh për produkte natyrale.

Çfarë e pengon krijimin e SHBB-ve?

Problem është se ato trajtohen nga tatimet si “Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar”, i trajtojnë dhe i ndëshkojnë me të njëjtat rregulla. Ne kërkojmë një paketë për SHBB-të në mënyrë që ato që janë formuar të dinë ҫfarë të bëjnë dhe të funksionojnë në mënyrë efiҫente. Nga kjo pikëpamje është e rëndësishme të ndërtojmë modelin e SHBB-ve. Kemi një problem të dytë, administratorët e SHBB-ve  kanë nevojë për më shumë përgatitje dhe njohuri. Ndaj është e nevojshme që administratorët e universiteteve të hapin një program apo kurs mbi menaxhimin e SHBB-ve.

Ka pasur rritje të numrit të SHBB-ve?

Po, ka pasur rritje. Ne po mundohemi të ndërtojmë një model për disa SHBB për bletarinë, për përpunimin e mbetjeve organike, për përpunimin e llumrave të kanaleve të ndotur, por edhe për të arritur në një moment të caktuar që edhe ne të përpunojme tepricat e produkteve natyrale. Ky model kërkon një investim në teknologjineë e përpunimit të mbetjeve organike dhe themi të ndryshojmë modelin. Ligji duhet ndryshuar dhe amenduar për shumë arsye. Ata që krijojnë një SHBB dhe marrin përsipër të punojnë në një territor të caktuar të jenë në përputhje me ligjin, të angazhuar dhe të kenë përgjegjësi përkatëse për territorin. Ne kemi pyje, kullota, kanale të cilat janë pa zot, pasi bashkitë e mëdha nuk e kanë interesin të shkojnë deri në qelizë. Me ligj u duhet dhënë një përkrahje dhe të thuhet që janë përdorues të kësaj sipërfaqe të papunuar dhe të ketë një bonus për SHBB-të  që të kenë një përparësi.

Po merren në konsideratë kërkesat tuaja nga ana institucionale?

Prermtime ka, ata bien dakord me të gjitha propozimet dhe kërkesat tona për një formë të re organizimi, për të ndërtuar modele për të përthithur dhe disbursuar fondet. Ajo që ne kritikojmë është se koha për të bërë ndryshime është shumë e vogël, në të kundërt dëmet do të jenë më të mëdha.

Rritja e kontributit në bujqësi siҫ deklaroi dhe ministri Ahmetaj, përse ka ardhur?

Ajo që mund të them është që ritmi i punës në bujqësi nuk është ulur asnjëherë, vështirësitë janë rritur. Në këtë vit në ndryshim nga vitet e tjera, ne patëm rritje të ҫmimit të perimeve në periudhën e sezonit turistik veror, kjo sepse prodhimet e shumë fermerëve u dëmtuan nga breshëri dhe shumë fermerë në vitet e shkuara mbillnin shumë perime dhe i shisnin nën kosto. Tregu duhet organizuar. Duhet të jemi më trasparentë për fondet që mund të përfitojnë fermerët, sipas skemave kombëtare apo dhe fondin e garancisë. Apeli i kryeministrit ishte real dhe ne kemi kohë për të sistemuar shumë gjëra në të mirë të fermerëve. Ata  kanë nevojë për gjëra të mëdha dhe të vogla. Nëse fermeri kërkon kredi, bankat duhet t’i mbështesin. Unë dua të përmend një shembull pozitiv të bankës “Credins”, e cila ka krijuar një grup të veҫantë për agrobiznesin, i cili kontrollohet hap pas hapi nga drejtuesit më të lartë të bankës, që ata të ndryshojnë konceptin përsa i përket investimit në sektorin agro. Ne duhet të ndryshojmë volumin e prodhimit për treg, duke u fokusuar për produktet natyrale, organike. Nuk është e domosdoshme që ne të përdorim teknika të sipërfaqeve masive, na duhet një mekanikë për këto sipërfaqe. Rinia po largohet nga fshati dhe nuk ka fuqi punëtore për ta përballuar prodhimin, kjo është mjaft problematike. Në vizitën e fundit që kam bërë në Sarandë, një bletar shprehu shqetësimin se nuk gjente dot një ndihmës për të lëvizur bletët nga një sektor në tjetrin. Edhe përsa i përket ujitjes, ne si KASH kemi bërë modele, të cilat kanë rezultuar pozitive. Edhe kryeministri në Lushnjë përmendi ujitjen me teknologji të mbyllur. Kemi realizuar në Sarandë 130 ha në ujitje në formë shiu, me tuba nën tokë. Ata duhen mbështetur, ky model është mbështetur nga banka “Credins”. Duhet të përqëndrohemi shumë të agroturizmi sepse do të mbledhë tepricat e podhimeve të fermerëve, s’kemi pse i presim turistët me produkte të importuara por me produkte të cilat nuk i gjejnë në vendin e tyre. SHBB-të në bashkëpunim me njëra – tjetrën mund të bëjnë një mrekulli përsa i përket vështirësive, nuk dua të nxitohemi pasi kemi dështuar në disa raste për mungesë të këtij ligji pë SHBB-të. Federatën e SHBB-ve nuk e regjstruam dot sepse “Qëndra Kombëtare e Biznesit” nuk ishte e përgatitur për këtë. Duam që në ligj të jetë edhe krijimi i Konfederatës së SHBB-ve për të mbrojtur interesat e tyre. Ne po këmbëngulim për këtë gjë, ministri është shprehur se ka ngritur një grup për të vepruar por s’kemi parë  diҫka konkrete. Ajo që është realizuar deri tani është ulja e tatim – fitimit 5% dhe limiti i TVSh-së, por skemi parë udhëzimin. Ka një problem të madh, duhet një kombinim  i punës midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Turizmit për agroturizmin. Paketa që duhet bërë për SHBB-të ëshë më e rëndesishme, ku duhet përfshirë një bonus për dhënien e tokës me qera. Ndërsa për aplikimet për fondet IPARD duhen informuar konkretisht se kur do hapen aplokimet sepse ata besojnë kur flitet në media, por ky besim deri tani është tronditur shumë.