Kultura e munguar e estetikës së kafshëve, nga anestezia e dëmshme tek shërbimi profesional

Në Shqipëri sot nuk është vetëm modë mbajtja e një kafshe shtëpiake, qen apo mace, por është një marredhënie sa e lashtë aq edhe e brishtë që mbart në vetvete një sfidë për njeriun. Mbajtja pastër, trajtimi i qimes dhe kurimi i pamjes së jashtme të kafshës ka të bëjnë me estetikën, por edhe me shëndetin, gjë që në vendin tonë ka munguar ose në shumicën e rasteve kryhet nga veterineri apo persona të paҫrtifikuar për këtë proҫes. 

Bruna Mazari, veterinere tha: “Në ditët e sotme është futur etika veterinare, komunikimi i veternerit me klientin  dhe stomatologjia. Në vendet e tjera një mjek nuk mund të bëjë estetistin, ashtu siҫ ndodh edhe në Shqipëri, por janë persona të specializuar.”

Në Tiranë prej pak kohësh, është hapur studioja e parë për estetikë kafshësh. Ilva, e cila është kthyer nga Franca pas vitesh të tëra pune si estetiste, e diplomuar për të ushtruar këtë zeje, tregon se sa i rëndësishëm dhe sa i shëndetshëm është për kafshët qethja, larja, pastrimi i qimes së vdekur, epilimi, në mënyrë profesionale e të përgjegjshme.

Ilva Leskaj, estetiste për kafshët tha: “Unë jam e specializuar në estetikën e kafshëve dhe për këtë kam një diplomë pasi jo ҫdokush mund ta kryej këtë punë. Estetika nuk hyn tek luksi por te mirëmbajtja e kafshës shtëpiake. Nuk është e rëndësishme vetëm ushqyerja por edhe estetika.”

Dikur ky lloj proҫesi kryhej me anestezi, apo me metoda të cilat e keqtrajtonin kafshën ndërsa sot estetika është një kulturë e re që për të zotët e qenëve apo maceve duket se po pranohet natyrshëm.

Mungesa e legjislacionit për kafshët shtëpiake ka sjellë prej vitesh situata të pakëndëshme në Shqipëri. Që nga keqtrajtimi dhe dhunimi e deri në vrasjen e tyre. Dhe në mungesë të një ligji  abuzimi mbi kafshët do të vazhdojë.