KASH merr pjesë në “Forumin e Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”

PhotoSot, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, mori pjesë në “Forumin e Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë”, organizuar nga Presidenti i Republikës, në Tiranë. Ky forum është krijuar si një “platformë lobimi” për promovimin e produkteve shqiptare, përfaqësuar nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë.
Në këtë takim Presidenti i Republikës përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të këtij Forumi si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, sidomos në kuadër të axhendës sonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në diskutime u theksua domosdoshmëria e përmirësimit klimës së biznesit, heqjen e barrierave tarifore dhe jo tarifore mes vendeve tona, thithjen e investimeve të huaja direkte, parashikueshmërinë fiskale, garancinë juridike dhe kontraktuale, si disa nga prioritetet kryesorë në axhendën tonë ekonomike.
Presidenti i Republikës apeloi për më shumë mekanizma financiarë, fiskalë dhe promovues për prodhimin vendas dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe “brandeve” shqiptare, përfshirë çertifikimin e tyre me destinacion eksportin në tregjet e qëndrueshme ndërkombëtare.
Vetëm në këtë mënyrë, mund të fuqizojmë “Hapësirën Ekonomike Mbarëkombëtare” e cila do t’i paraprinte dhe ndihmonte krijimit të “Zonës Ekonomike Rajonale” që duhet të funksionojë si një “paradhomë” e anëtarësimit në BE dhe integrimit të plotë ekonomik në Tregun e Përbashkët Europian.