Mbështetje për gratë fermere në Elbasan

BukurieTregu i bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri ka njohur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Vlera e eksporteve arriti në 3.9 miliardë lekë gjate vitit 2016, nga rreth 2.1 miliardë milionë lekë në vitin 2008 sipas të dhënave të INSTAT. Ky sektor gjithashtu siguron të ardhura për mijëra familje të cilat mbledhin bimë të egra, kultivojnë bimë mjekësore dhe aromatike, i pastrojnë apo grumbullojnë ato. Sipas vlerësimeve më të fundit mbi 100,000 familje janë përfshirë në këtë sektor. Ndërsa në disa zona të vecanta të vendit si në veri të vendit bimët mjekësore zënë rreth 35% të të ardhurave familjare.Vlerësohet se ka shumë potencial për zgjerimin e tregut të bimëve mjekësore dhe aromatike, duke shfrytëzuar kërkesën në rritje të tregut ndërkombëtar. Edhe pse ky biznes siguron të ardhura dhe punësim për qindra familje në zonat rurale të vendit zgjerimi i mëtejshëm i tij po has vështirësi në marketimin e prodhimit dhe garantimin e cilësisë së produktit si pasojë e mungesës së investimeve në teknologji në procesin e post-korrjes si psh tharja, transportimi dhe magazinimi I bimëve. Projekti Risi Albania i cili mbështetet nga qeveria e Zvicrës përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC dhe që zbatohet në Shqipëri nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe Partners Albania po punon ngushtësisht me partnerët në sektorin privat për hapjen e vendeve te punes për të rinjt. Ne sektorin e Agrobiznesit nje nga nen sektoret me rendesi janë dhe Bimët Mjeksore dhe Aromatike. Projekti ka analizuar sistemin e zinxhirit të vlerës për sektorin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike në Shqipëri dhe një nga hallkat më të dobta të identifikuara nga analiza e kryer nga RisiAlbania rezultoi se ishte pikërisht procesi i tharjes së bimëve. Aktualisht procesi i tharjes kryhet nga fermerët në mjediset e shtëpisë apo rrethinave përreth, ku ka shume mundësi te ndoten si pasojë e kontaktit me kafshët shtëpiake. E gjitha kjo ndodh gjatë procesit të tharjes, post-korrjes ku edhe vlera më e madhe e bimëve humbet. Kjo ka shkaktuar në mënyrë të vazhdueshme humbjen e cilësisë së produktit, shqetësim i konstatuar nga pikat e grumbullimit dhe nga vetë eksportuesit e këtyre produkteve.

Margarita

Investimet në këtë hallkë të zinxhirit janë të papërshtatshme për të garantuar që procesi i tharjes të kryhet në mënyrën e duhur. Analiza rekomandon përmirësimin e cilësisë pikërisht në këtë fazë, post korrjes. Kjo mund të bëhet përmes futjes së teknologjive të reja.

Projekti pasi prezantoi me sukses fillimin e përdorimin të sitave tharësve nga Fermerët në rrethin e Kolonjës në partneritet me Cibuku Shpk (eksportues i bimëve medicinale) filloi bashkepunimin me shoqatën Diakoniko Agapi. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi u bë e mundur që të ndryshonte mënyra e tharjes së bimëve nga 15 gra fermere në në fshatin Shelcan të Elbasanit ,zona e Shpatit në Elbasan. Gratë fermere filluan që të përdorin sitat tharëse. Znj.Bukurie Boduri tregon se për shkak të mungesës së teknologjisë së përshtatshme për tharjen e bimëve të egra që ajo mbledh, produkti vlerësohet më pak, pasi i humbet cilësia në mënyrën e tharjes.  “Vitin e kaluar, me përdorimin e kësaj pajisjeve arrita të siguroj një fitim deri 20% më të lartë si pasojë e përmirësimit të teknikës së tharjes. Nëse më parë i thaja bimët në oborrin e shtëpisë, tani e kam shumë më të lehtë dhe mbi të gjitha produkti ruhet i pastër nëpërmjet kësaj pajisjeje që nuk zë as shumë vend”- tregon Bukuria.

Znj. Margarita Koci një tjetër fermere e kësaj zone, e cila ka vendosur që të kthehet nga emigracioni dhe kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike e shikon si një mundësi për të punësuar veten dhe djalin e saj, më të voglin e familjes prej 6 anëtarësh. “Ishte mund i madh të thaje bimët më parë, ndryshonte ngjyra dhe grumbulluesit nuk na e vlerësonin produktinKjo pajisje është një ndihmesë shumë e madhe, është praktike, produktet ruhen të pastra dhe të them të drejtën e kam përdorur edhe për tharjen e frutave dhe perimeve” – thotë Margarita e cila është e gatshme të blejë edhe një tjetër me fitimet e saj tani që ka vendosur të shtojë sipërfaqen e mbjellë me bimë mjekësore.

Në këtë zonë, me kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike kryesisht janë të vetëpunësuara gratë në një raport 70% krahasuar me burrat, cka u ka dhënë atyre mundësinë të kontribuojnë në mirëqënien e ekonomisë familjare. Sot ato jo vetëm mbledhin bimë të egra por kanë mbjellë nga 1 deri në 2 dylym sipërfaqe me bimë mjekësore, duke angazhuar edhe pjesëtarët më të rinj të familjes.Ndërhyrja e RisiAlbania, jo vetëm që ka ndihmuar në përmirësimin e zinxhirit të këtij sektori, në një nga hallkat e dobta të tij, procesi i tharjes, por i ka aftësuar gratë fermere edhe në hartimin e një biznes plani. Janë të shumta gratë dhe vajzat në këtë zonë të Elbasanit që dëshirojnë të përfshihen në biznesin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Problem ende sipas vetë fermereve mbetet grumbullimi i produktit nga pikat e grumbullimit dhe vlerësimi sa më i drejtë i cmimit të shitjes.  Cilësia më e mirë e përfituar gjatë vitit të shkuar dhe prodhimi i parë që pritet në pranverë, ka rritur edhe interesin e pikave të grumbullimit.  Këto të fundit madje po i orientojnë fermeret e kësaj zonë drejt mbjelljes së disa kulturave të vecanta si Helichrysum apo lavender në mënyrë që të rrisin prodhimin, cka do të ndikojë edhe në vlerësimin më të drejtë të prodhimit të tyre.