Tregu i kafshëve të gjalla në Rrogozhinë, burim i infektimit të njerëzve nga sëmundjet zoonotike

photo 2Më mijëra krerë kafshë tregtohen çdo javë në mbarë vendin, në kushte të papërshtatshme higjeno – sanitare, duke cënuar sigurinë ushqimore apo duke u bërë shkak për përhapjen e sëmundjeve zoonotike. Tregu i kafshëve në Rrogozhinë është një ndër tregjet me kushtet më të këqia për tregtimin e kafshëve të gjalla i cili funksionon prej 25 vitesh. Ky treg hapet ҫdo të shtunë, ku njerëz me kamionë e mjete të ndryshme grumbullohen poshte urës së Rrogozhinës dhe tregtojnë bagëti, madje edhe i therin ato.

kafshet

Megjithëse Ligji Nr. 10 465, I DATËS 39.09.2011, “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, detyron Njësitë e Qeverisjes Vendore që të kujdesen për tregjet, duket qartë, që për Tregun e Rrogozhinës ky ligj nuk ekziston.

Në nenin 54 të këtij ligji, per funksionet e njësive të qeverisjes vendore, pika b thekson se këto struktura duhet të të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla. Ato administrohen, nga vetë bashkitë apo me subjekte të kontraktuara prej tyre, por në rastin e Rrogozhinës, administrimi nënkupton vetëm mbledhjen e lekëve për çdo koke bagëti që futet aty.

Eksperti i Shërbimit Veterinar, njëkohësisht ish-Drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë, Z. Edi Fero tha :

“Edhe në vendet e botës së tretë, nuk mund të gjëndet një treg në këtë gjëndje ku dhe vetë fermerët janë të vetëdijshëm për rrezikun që iu kanoset kafshëve, përhapjes së sëmundjeve zoonotike, pasi mblidhen kafshë të pakontrolluara nga zona të ndryshme të vendit, si edhe për rrezikun që iu kanoset konsumatorëve. Këto kafshë rrezikojnë të përhapin sëmundje të transmetueshme nga kafsha te njeriu dhe në këto kushte, tregu i Rrogozhinës është laboratori më i mirë i mundshëm për transmetimin e sëmundjeve zoonotike. Fermerët paguajnë tarifën për çdo kokë bagëti që fusin në këtë treg, ndërsa nuk marrin asnjë shërbim. Kafshët janë pa matrikuj, pa ҫertifikatë veterinare, nuk iu dihet origjina apo sëmundjet që mund të kenë duke përbërë kështu një rrezik për konsumatorin”.

photo 3

Më tej, eksperti Fero tha se ashtu siç e parashikon dhe Ligji Për Shërbimin veterinar, veterineri zyrtar, i cili është pjesë e Bashkisë së Rrogozhinës në këtë rast, duhet të jetë në hyrje të tregut, të kontrollojë ҫertifikatat për çdo kafshë që hyn e del dhe të bëjë regjistrimin apo ç’regjistrimin nga sistemi i identifikimit, shërbim që edhe ky mungon.

Sipas Feros, minimalisht tregu duhet të jetë i rrethuar dhe i shtruar me çimento, me qëllim që të kryehet larja pas përfundimit të aktivitetit tregtar dhe prezenca e veterinerëve të bashkisë duhet të jetë e domosdoshme, ndërsa Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, prej dy vjetesh nuk ka qenë asnjëherë për të kontrolluar këtë treg.

Moskontrolli i kafshëve dhe mungesa e matrikujve e rëndon edhe më shume situatën. Tregjet e kafshëve të gjalla duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara ose duhet të mbyllen në mënyrë për të shmangur rrezikun ndaj shëndetit të konsumatorëve.