Kryetari i KASH, Agim Rrapaj, evidenton problematikat që pengojnë konkurueshmërinë e prodhimeve bujqësore shqiptare

20180404_104754Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, në një intervistë për TV Scan ka folur mbi problematikat që rëndojnë mbi prodhuesit shqiptarë dhe pengesat për të qënë të konkurueshëm. Në lidhje me tarifën prej 5 eurosh të vendosur së fundmi nga qeveria në Rrugën e Kombit, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar u shpreh se kjo taksë në situatën e sotme që është bujqësia do të rëndojë mbi prodhuesit shqiptarë pasi ky aks rrugor ka mundësuar transportin e një sërë mallrash dhe produktesh bujqësore, por kjo taksë është e pashmangshme dhe ajo çfarë mund të bëhej është të negociohej mbi vlerën e saj. Më tej, Rrapaj ka evidentuar pengesat që përballet bujqësia shqiptare në rrugën drejt konkurueshmërisë, ku theksoi informalitetin, mekanikën e vjetëruar bujqësore, mungesën e disbursimit të fondeve për fermerët, mungesën e organizimit apo laboratorëve të çertifikuar, si edhe taksat indirekte që rëndojnë në koston e produktit.

( Intervista e plotë )

Si do të ndikojë kjo tarifë prej 5 eurosh për eksportet bujqësore shqiptare dhe a është e përballueshme për këtë kategori biznesesh?

Çdo tarifë shtesë që po i bëhet biznesit në këtë situatë të vështirë që është sot, është e papërballueshme. Pavarësisht se tarifohet në një segment të proçesit që është transporti, të gjitha pasojat shkojnë tek prodhuesi. Në të gjithë botën ka tarifa transporti, sidomos në këto rrugë siç janë autostradat, por na shqetëson fakti që ata prodhues bujqësor, që do ta përballojnë këtë tarifë janë shumë pak. Ne kemi 354 mijë ferma dhe vetëm 36 mijë janë të formalizuara. Kjo tarifë do të shkojë tek këta 36 mijë që janë të formalizuar dhe eksportojnë, nuk do të shkojë tek pjesa tjetër, nuk do të shpërndahet për të lehtësuar proçesin e prodhimit dhe kjo është shqetësuese. Elementi i dytë është që në një hark kohor të shkurtër janë dhënë disa konçesione dhe këto ndikojnë direkt në proçes. Tek prodhuesit patjetër do të ndihet ndikimi i kësaj tarife të re..
A është e nevojshme vendosja e kësaj trarife?
Për mendimin tim po, pasi kjo rrugë në këto 10 vite, me tarifat e buxhetit shqiptar ka ngelur e papërfunduar, e pamirëmbajtur dhe kostoja e mirëmbajtjes po të mos ndërhyet tani, do të shkojë shumë herë më e madhe dhe ndoshta mundtë ndodhë siç ka ndodhur me investime të tjera që lihen deri në njëfarë mase sa edhe ndërhyrja e mëvonshme është pa rezultat. Psh, kjo ka ndodhur me uzinën e naftës në Ballsh sa thuhet që nuk ka më interes për të investuar përsëri.

A mendoni se duhet ndërhyrë përsa i përket vlerës së kësaj tarife?

Fakti që tarifa u vendos tre herë më shumë sesa tarifa mesatare krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe trendi është për të shkuar drejt kësaj vlere, kjo lë hapësirë për diskutim. Për arsye sepse do të nxitet një reagim siç po e shohim edhe tani dhe këtë rrugë edhe ata që e kanë marrë për ta mirëmbajtur nuk do t’ia arrijnë dot qëllimit sepse do të vijojë transporti në segmente të tjera, përmes Greqisë, Maqedonisë, etj,

Deri tani eksportin e mallrave bujqësore shqiptare kush po e bën, janë vetë fermerët shqiptarë apo grumbullues të vëndeve të tjera që marrin edhe produktet tona?

Ne nuk kemi fermerë shqiptarë që eksporojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo mund themi që këta janë shumë pak. Kryesisht në shumicën e rasteve grumbulluesit janë nga vendet e tjera. Kompanitë tona që eksportojnë janë shumë pak. Unë jam me mendimin se tarifa duhet të diskutohet. Nuk është kjo tarifë që i jep zgjidhjen problemit, përkundrazi një tarifë e konsultuar me të gjitha palët do i jepte zgjidhje. Do ishte mirë të sqarohej edhe çështja e aboneve apo e lehtësirave të tjera. Tarifa ka disa vjet që diskutohet që do vendosej, por vlera e vendosur nuk është zgjidhja më e mirë dhe nuk besoj se do të japë rezultatet që ata presin, por do të japë rezultatet e kundërta.

Grumbulluesit të cilët vijnë e marrin produktet shqiptare, cilit vend i përkasin?

Kryesisht janë nga Kosova, Maqedonia, Serbia apo edhe shqiptarë të cilët punojnë jashtë. Shumë pak kemi eksportues shqiptarë që kanë asetet e prodhimit vendas. Prodhuesit vendas nuk dalin dot në eksport me këtë konfiguracion të prodhimit bujqësor që ne kemi.

Tashmë është hapur një dritare e re për eksportin e produkteve shtazore drejt Serbisë, ju çfarë mendimi keni për këtë marrëveshje?

Negociata me Serbinë pati rezultat dhe është për t’u përshëndetur. Në të gjitha negociatat e mëparëshme kemi dështuar dhe ky është një ogur i mirë. Këtu më i privilegjur nga të dyja palët është ai që është më i fortë nga pikëpamja e çmimit, cilësisë, më i konsoliduari dhe ne nuk jemi.

Ekziston rreziku që të mbytemi nga produktet shtazore serbe?

Ky rrezik nuk është vetëm për këto produkte por është evident për Shqipërinë pasi jemi duke shkuar drejt tregut të lirë rajonal. Tregu i lirë rajonal do të bëjë që të ikin të gjitha barrierat. Po e pritëm në këtë mënyrë ne nuk mund të jemi konkurues, pasi prodhojmë me kosto më të lartë dhe po nuk e pranuam, nuk kemi për ta rregulluar asnjëherë.

Në raportin e fundit të “Forumit Ekonomik Botëror” mbi konkurueshmërinë globale, Shqipëria nuk ka ndryshuar pozicion krahasuar me më parë, cilat janë elementët që na bëjnë më pak të konkurueshëm?

Në fushën e bujqësisë ajo që na bën më pak të konkurueshëm në radhë të parë është informaliteti. Janë 300 mijë fernerë të paformalizuar, të cilët nuk mund të konkurojnë individualisht një formë bashkëpunimi bashkëkohore që kanë vendet e tjera. Së dyti, problemet e mekanizimit. Ne kemi mekanikën më të vjetër në rajon, më të kushtueshme dhe çmimin e karburantit më të lartë krahasuar me vendet e tjera. Në këtë drejtim ndikojnë edhe një sërë tarifash indirekte. Në këtë fazë që jemi ne, lëmë një hapësitë të madhe të tokës të papunuar dhe e lënë këta 300 mijë fermerë dhe janë 100 mijë ha dhe kjo arrin në vlerën 100 milion euro që humbasin në vit nga ky burim. Burimi kryesor që vijnë të ardhurat në fushën e bujqësisë është toka dhe nëse këtë gjë ne nuk e kuptojmë dhe vazhdojmë ta mohojmë por merremi me çështje anësore nuk kemi për ta zgjidhur.
Ne nuk jemi konkurues pasi nuk po kuptojmë që sot tregu po kërkon produkte cilësore dhe për mendimin tim duhet të zgjidhim përfundimisht problemin e laboratorëve. Ne nuk kemi laboratorë të cilët janë të akredituar, në mënyrë që produkti të njihet nga ndërkombëtarët dhe të besohet nga konsumatorët. Ne nuk kemi ditur t’i menaxhojmë apo t’i ruajmë ato, pasi nëse shohim ato godinat e krijuara nga fondet e Bashkimit Europian, janë të bukura nga jashtë por bosh nga brenda pasi mungojnë ekspertët e mëparshëm, pajisjet nuk janë mirëmbajtur dhe shpesh herë nuk është kontrolluar apo performuar siç duhet nga institucionet të cilat merren me këto çështje. Elementi tjetër që na mungon është se ne nuk disbursojmë fondet grand. Ne kemi që në vitin 2014 që Bashkimi Europian na ka caktuar fondin prej 94 milion eurosh për të disbursuar dhe ne akreditimin e kemi marrë para një muaji. Edhe fondet grand që marrim nga buxheti i shtetit nuk arrijmë t’i disbursojmë. Vitin e kaluar, nga 15 milion euro që ishin caktuar për t’u disbursuar janë disbursuar vetëm 1.2 milion, pra vetëm 10 %. Vlerë për ne nuk ka numri i aplikimeve për të përfituar por vlerë ka sa do përfitojnë dhe sa shqetësohemi ne realisht për disbursimin e këtyre fondeve.
Duhen ndërmarrë disa hapa, si thjeshtimi i proçedurave, duhet bërë një analizë për këtë mungesë disbursimesh, në mënyrë që të jemi më konkurues, si edhe duhet eliminiminuar korrupsioni. Këto fonde nuk janë pronë e atyre që i japin por pronë e atyre që i marrin, pronar është ai që përfiton. Duhet të mbajnë përgjegjësi përsonat përgjegjës për mosdisbursimin e këtyre fondeve.
Ne nuk jemi konkurues pasi kemi një pabarazi me lëndët e para që importohen dhe lëndët e para që eksportohen, pasi ne prodhojmë lëndë të para me kosto shumë të larta dhe importojmë lëndë të para me kosto të subvencionuar. Sistemi në krahun tjetër, në vendet e tjera, lufton të ulë koston, të përmirësojë teknologjinë, lufton për tregjet. Kur kam qënë në Serbi herën e fundit, fermerët kishin vetëm një kërkesë, hapjen e tregut me Shqipërinë. Ata i marrin produktet tona me një çmim që e përcaktojnë ata, ne nuk vendosim pasi jemi të paorganizuar.
Taksat indirekte që po aplikohen nuk janë zgjidhje, pasi këto do ta rëndojnë koston e fermerit, ndërsa taksat e drejtpërdrejta janë ato të cilat do ta bëjnë më të ndërgjegjëshëm fermerin apo agropërpunuesin dhe do nxisin prodhimin vendas. Tarifa indirekte ka nëpër tarifat e ndryshme të kontrollit doganor, tashmë taksa në Rrugn e Kombit, taksat në çmimin e karburantit, etj. Ne duhet të ndryshojmë formën e organizimit, të pranojmë që nuk zhvillohet ekonomia pa taksa, pasi ato janë të nevojshme për të investuar përsëri, por kjo çështje nuk zgjidhet vetëm me borxhe dhe kredi, por me rritjen e prodhimit. Ne mund të bëjmë debat për taksën e Rrugës së Kombit por ky është një debat pa rezultat, pasi duhej diskutuar më parë .

A mund të kalojmë nga një bujqësi mbijetese në bujqësi komerciale?

Kemi kaq shumë vite që flasim për bujqësinë. Së pari duhet të sqarojmë termin “bujqësia e mbijetesës”. Ky term nuk duhet të ekzistojë, pasi ata fermerë të cilët prodhojnë për vete, prodhojnë për blegtorinë dhe një pjesë e nxjerrin në treg nuk mund t’i quajmë që mbijetojnë, ata aq mundësi kanë por nuk është faji i tyre. Përgjegjësia e tyre është që ata nuk po ndërgjegjësohen për t’u bashkuar. Por edhe ata të cilët janë të bashkuar, ligji për SHBB- të i ndëshkon ato, nuk i stimulon. Pra, edhe ata që ndërgjegjesohen nuk i favorizon ligji.  Ne kemi për fermerët dy ligje. Së pari është ligji për SHBB-të, të cilat janë organizata jofitimprurëse dhe ligji për SHPK- të, të cilat janë organizata fitmiprurse. Kur regjistrohen SHBB- të, ato trajtohen si SHPK. Ne presim të ndryshojë ligji për SHBB- të sepse në të kundërt nuk ka për t’u zgjidhur problemi dhe ka për të ndodhur ajo që po ndodh edhe tani që të rinjtë do të largohen, nuk dotë investohet në mekanikë bujqësore, për plehrat kimike apo teknologjinë, për aq kohë sa nuk kthehet vëmendja. “Bujqësinë e mbijetesës” do ta lënë të falimentojë por realisht nuk ka për të falimentuar pasi 300 mijë familje do të vazhdojnë të ushqehen me atë tokë që kanë, kush mendon ndryshe do të gabojë. Problemi është që të mos u lejojmë mundësi grabitqarëve të ndërhyjnë në disbursimin e grandeve dhe qeveria duhet të kryejë kontrolle më të shpeshta se ku shkojnë këto grande.