Risi Albania, mundësi për të nxitur sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike

risiMë shumë se 100,000 familje shqiptare janë të lidhura ngushtë me jetën e bimëve aromatike dhe medicinale (BAM). Vetëm në veri të Shqipërisë besohet se kultivimi i bimëve mjekësore përbën rreth 35% të të ardhurave të këtyre familjeve. Gjithashtu në Ersekë mbi 90 % e banorëve dhe në Korçë mbi 40 % e banorëve sigurojnë të ardhura për familjet e tyre përmes bimëve medicinale. Bimët mjekësore janë një burim të ardhurash e drejtëpërdrejtë jo vetëm për këto familje por edhe për vendin tonë, duke qenë se rreth 90 % e tyre eksportohet.

Por vendi ka potencial për të marrë edhe më shumë të ardhura për këtë thesar të gjelbër që na e ka dhuruar natyra, nëse ky sektor nuk do të përballej me një sërë problematikash madhore, që u identifikuan në studimin për Bimët Medicinale mbi “Strategjinë e përmirësimit të cilësisë së bimëve medicinale pas korrjes në nivel kombëtar”Ky studim i realizuar nga Albanian Food Industry dhe i financuar nga RisiAlbania vjen në vijim të ndihmës që ka dhënë projekti i financuar nga  Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim SDC, në këte sektor me një rast pilot në zonën e Ersekes. Një nga grumbulluesit e Bimëve Medicinale në ketë Qark u mbështet për të bërë të mundur që të përmirësohet cilësia e Bimëve Medicinale pas korrjes. Grumbulluesi falë mbeshtetjes nga RisiAlbania përmirësoi procesin e tharjes së bimëve pas korrjes. Bimët pasi mblidhen nga individët/fermerët dorëzohen të njoma dhe procesi i tharjes bëhet nga vetë grumbulluesi në ambjentit e dedikuara nëpërmjet rafteve tharëse.

Bukurie Për këtë studim u intervistuan fermerë, grumbullues, eksportues dhe shoqata të bimëve medicinale në të gjithë Shqipërinë, por sigurisht u konsultuan edhe hulumtime të mëparshme, legjislacioni kombëtar dhe ndërkombëtar në lidhje me standartet etj, i cili nxori në pah e përforcoi një mori sfidash madhore me  të cilat përballet ky sektor si më poshtë:

  • Mungesa e harmonizimit të standardeve dhe mungesa e njohurive për këto standarde, gjë e cila i bën prodhuesit të pambrojtur përkundrejt blerësit;
  • Përmirësimet teknologjike dhe investimet e nevojshme – raftet tharëse, pajisjet për sterilizim dhe pastrim, si dhe teknologji të tjera si ato të përpunimit të bimëve medicinale, të cilat rrisin cilësinë e bimëve dhe efikasitetin e prodhimit;
  • Problemet tatimore dhe fiskale – Kompanitë ankohen që sistemi fiskal nuk i motivon TVSH-ja 20%, taksat e infrastrukturës të larta, mungesa e mekanizmit të rimbursimit të TVSH-së për grumbulluesit, etj.
  • Burokracia, informaliteti, konkurrenca e padrejtë janë gjithashtu barriera për zhvillimin e këtij sektori;
  • Mungesa e laboratorit të akredituar është gjithashtu një nga problemet e përmendura nga shumë kompani;
  • Praktikat më të mira dhe ndarja e njohurive – Vetëm shumë pak eksportues, më të mëdhenjtë, kanë akses në evente ndërkombëtare apo panaire ku ekspozohen teknologjitë e fundit të këtij sektori;
  • Mungesa e bashkëpunimit dhe e koordinimit të kompanivë brënda sektorit për të advokuar për problemet, edhe pse të gjithë bien dakord për nisma e ndryshime që duhen ndërmarrë në nivel kombëtar; etj.

Një pamje e plotë dhe qarte për problematikat e specifikat e këtij sektori do të ndihmojë që të hartohet një qasje strategjike sistematike, për të rritur imazhin dhe vlerën e bimës medicinale me 30 – 50%. Kjo sigurisht do të rrisë edhe numrin e të punësuarve në këtë sektor dhe do të sjellë më shumë të ardhura për vendin. E ardhmja e ketij sektori do të ndikohet shumë nga grumbulluesit/eksportuesit e bimëve medicinale të cilët kanë një vizion të qartë mbi ruajtjen/rritjen e eksporteve, përmirësimin e cilësisë, zhvillimin afatgjatë të biznesit dhe hapjen e tregjeve të reja në këtë sektor. Këto biznese nëpërmjet investimeve në rafte tharëse do të bëjnë të mundur të përmirësojnë të ardhurat për zonat rurale, të motivojnë individët që të angazhohen më shumë në mbledhjen e bimëve kjo falë investimeve në rafte tharëse të grumbulluesve/eksportuesve.

(Nga Alban Zusi, Drejtor Ekzekutiv i Albanian Food Industry AFI)

RisiAlbania, mundësi për të nxitur sektorin e bimëve aromatike dhe mjekësore

Projekti Risi Albania e gjen me shumë interes bashkëpunimin me sipërmarrësit e interesuar pë rtë investuar në këtë drejtim. Pyetja që mund të shtrohet për ketë çështje është: Cilat janë ato biznese të tjera që mund të jenë të interesuara të bashkepunojnë në këto inciativa për investime që ndihmojnë përmirësimin e cilësisë së bimëve pas korrjes? Sipas gjetjeve të projektit dy kategori që mund të jenë të interesuara:

  1. a) Kompanitë e konstruksioneve të hekurit të cilat mund t’ju ofrojnë produktet si rafte tharëse, konstruksione që përdoren për tharjen e bimëve.
  2. b) Kompanite që mund të prodhojnë thasë që mund të përdoren për grumbullimin dhe transportimin e bimëve medicinale nga individët/fermerët tek grumbulluesi/eksportuesi.

Për sa më sipër në këtë drejtim ka shumë nevojë për shkëmbim informacioni, ide dhe bashkëpunim mes aktorëve të ndryshëm, me qëllim që të sigurojmë rritjen e të ardhurave nga eksportet e bimëve medicinale dhe gjenerimin e vëndeve të punës. Projekti RisiAlbania është duke punuar në këtë drejtim dhe cdo ide innovative që mund te kontribuojë në këtë drejtim është e mirëpritur te dërgohet me email pranë projektit në postën elektronike: info@risialbania.al