KASH ofron asistencë për çdo fermer dhe agrobiznes për të aplikuar në fondet IPARD

rrapaj

Kreu i Këshilli të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, në një intervistë për Fax News, ka folur për fondet IPARD dhe mënyrën si mund t’i disbursojmë. Ai theksoi se Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar i ofron ndihmë çdo fermeri, përmes një grupi ekspertësh të zgjedhur për t’i ndihmuar ata për të aplikuar dhe përfituar nga fondet IPARD. Ai u bëri thirrje fermerëve të drejtohen gjithmonë tek ekspertët për ndërtimin e planeve të biznesit, njëkohësisht u bëri një kërkesë organeve kompetente të lehtësojnë proçedurat për marrjen e dokumentacionit të nevojshëm nga fermerët për të aplikuar në fondet IPARD. Z Rrapaj theksoi se KASH do monitorojë dhe do të paraqesi fakte për ata që kërkojnë të pengojnë  zhvillimin e projekteve dhe disbursimin e fondeve.

Intervista e plotë

Çfarë mund të themi për programin IPARD?

Programi IPARD ka disa vite që ka filluar, që prej vitit 2014, me IPARD Like dhe i dyti që prej muajit prilli, kur Shqipëria mori akreditimin.  Në dhjetëditëshin  e parë të muajit maj hapen thirrjet për dy skemat e IPARD. IPARD është një program i vështirë. Të gjithë fermerëve, u duhet thënë që nuk është një fond që mund të disbursohet me lehtësi. Shumë vende që kanë aplikuar tek IPARD, nuk kanë pasur rezultate të mira, vende të cilat kanë një infrastrukturë shumë herë më të mirë sesa ne dhe duke pasur potenciale dhe asete më atraktive. Të gjithë ata që duan të aplikojnë tek IPARD duhet të drejtohen tek ekspertët, përveçse institucioneve shtetërore të ngarkuara në zbatimin e këtij programi. U bëj thirje fermerëve, të gjithëve atyre që duan të punojnë në bujqësi, se ka ardhur koha të hedhin idetë e tyre tek ekspertët, të transformojnë këto ide në programe për realizimin e disbursimit të fondeve.  Ne duhet të kemi një ide të qartë se në çfarë do të investojmë.  Ne detyrimisht duhet të kemi të plotë financimin e projektit që duhet të investojmë dhe nga kjo të marrim një disbursim 55% – 60% kur jemi një SHPB, ose 50% të vlerës, në të kundërt. Është e domosdoshme që edhe forma e organizimit të diskutohet. Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor janë një alternativë shumë e mirë, për të aplikuat tek IPARD.  Janë rreth 70 SHPB që duhen riaktivizuar dhe të aplikojnë. Unë u bëj thirrje  të gjithë atyre që kanë krijuar kooperativa,  t’i vënë ato në funksion të ideve që kanë pasur.

Së dyti, planet e biznesit duhen  hartuar nga ekspertë me përvojë, që kanë njohuri për IPARD- in, janë specializuar në këtë fushë, pasi nuk mund të shpallesh fitues me programe amatore. Studio të specializuara apo organizata duhet të realizojnë këto program dhe të ofrojnë ndihmën e tyre.

Këta ekspertë që do të ndihmojnë në hartimin e planeve të bizneseve do paguhen nga fermerët ?

Për investimet IPARD paguan 12% të vlerës së projektit dhe një kosto të vogël operacionale do ta paguajë vetë aplikuesi dhe këto nuk janë kosto të papërballueshme. E domosdoshme është që marrëveshja të bëhet që në fillim, në mënyrë që të shmangen sekserët të cilët kanë krijuar një opinion negativ në disbursimin e fondeve grand. Duhet të drejtohen tek studio serioze, institucione apo shoqata serioze në mënyrë që të ndërmarrin hapat e duhur .

Si duhet të jetë skema për të shmangur abuzimet?

Ne kemi bërë një thirrje institucioneve përkatëse. Shmangien e abuzimeve në radhë të parë duhet ta bëjë AZHBR –ja. Ne u kemi bërë një kërkesë, në prani edhe të ministrit Peleshi, që të bëjnë një promovim të qartë mbi proçedurat e aplikimit dhe nuk  duhet të paguajnë asnjë qindarkë jashtë rrugëve ligjore. Për t’u realizuar duhet një ndërgjegjësim i dyanshëm. Fermerët duhet të binden që mund të fitojnë pa futur sekserë apo miq, edhe  vetë punonjësit e akredituar për vlerësimin t’u bëhet e qartë se do kenë ndëshkimin e merituar nëse ata nuk zbatojnë pikë për pikë rregullat që kërkon IPARD. Nëse nuk do mposhtet ky opinion i gabuar, nuk do ketë disbursim, pasi monitorimi i këtyre fondeve është mjaft i rreptë, mjaft rigoroz.

A janë gati fermerët tanë apo SHPB – të për të aplikuar në këto fonde dhe sa janë mundësitë për të fituar?

Ne kemi 354 mijë ferma dhe nga këto ferma, vetëm 36 mijë kanë nipte që mund të aplikojnë, pra vetëm 10% janë të formalizuar. Kemi 91 milion euro për dy vjet dhe tani që flasim kanë të drejtë të aplikojnë 70 SHPB-të  dhe rreth 36 mijë fermerë, të cilët jo të gjithë mund të aplikojnë. Këtu kemi një sërë problemesh. Në radhë të parë me lejet. Shumë fermerë kanë vështirësi të marrin leje për të ndërtuar stallat, depot e grumbullimit, depo frogorifirike, atë infrastrukturë të domosdoshme për proçesin e prodhimit dhe për të disbursuar fondet. Për këtë ka dy probleme të mëdha.  Projektet e mëdha kërkojnë  impenjimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, i cili mblidhet dy herë ose tre herë në vit dhe së dyti lejet nga pushteti vendor. Vendimi i Këshillit të Ministrave që lehtëson këto proçedura të zbatohet me korrektësi dhe organet përkatëse të mos i pengojnë fermerët në marrjen e lejeve. Nëse duhet të fitojnë këto programe apo plane biznesi duhet bërë nga ekspertë apo organe të posaçme. KASH ka menduar për këtë çështje dhe ka ngritur një grup ekspertësh të cilët janë njohës shumë të mirë të proçesit, të IPARD- it, planeve të biznesit dhe programeve të tjera. Në këtë grup bëjnë pjesë agronom, veterinerë, zoteknikë, financier, arkitekt, topograf. Këta së bashku krijojnë projekte të gatshme për të disbursuar fondet. Ne kemi marrë si model programin 100 fshatrat, i cili është një risi. Në 100 fshatrat duhet të kemi patjetër projekte për të disbursuar fonde, që nga blegtoria, bujqësia, transporti i kafshëvë, tregjet që janë në gjendje skandaloze. Në lidhje me pemtarinë përmendim ullishtet, shegën, mollën, lajthinë, etj. Projektuesit duhet të njohin mirë rajonizimin, kulturat bujqësore dhe tregun. Ne kemi një grup të posaçëm që të përputhim kërkeat e tregut me të rajonizimit dhe të ndërtojmë projektetë tilla që të jenë të pakundështueshme nga kushdo që do t’i gjykojë në vijim.

IPARD do të përcaktojë edhe kulturat bujqësore që do të prodhohen?

Tashmë studiuesit kanë studiuar rajonizimin, se cilat janë vendet e duhura për çdo variatet, njëkohësisht asetet, burimet ujore apo infrastrukturën. Kjo çon ne eliminimin e kostos, duhet struktura në nivelin e duhur. Janë ekspertët, ata që do të mbajnë përgjegjësi për efiçencën e projekteve.  Nuk është kosto e madhe të ndërtosh një projekt në funskoin me disbursimin e IPARD. Është i nevojshëm formalizimi. Do i kërkonim hipotekave dhe kryeministrit që ata të veprojnë edhe jashtë radhës në dhënien e çertifikatave të pronësisë, për të ndihmuar në disbursimin e fondeve. Nëqoftëse ne nuk do të angazhohemi të gjithë, të bëhemi një trup, mund të arrijmë të disbursojmë një pjesë të mirë të këtyre fondeve. Do bëja një thirrje edhe për opozitën që të mbështesin ato projekte që kanë mundësi të disbursojnë fondet e Bashkimit Europian. Duhet të flasim gjithmonë për ato probleme që na shqetëojnë vërtëtë.

A mund të themi se shqiptarët po u kthehen tokave dhe fermave në sajë edhe të ndihmës që ofrojnë këto projekte?

Kemi 100 mijë ha tokë të mbetur djerrë e cila është nën ujë, por shumë produktive. Për informacion, Shqipëria me këto kushte që ka merr 1 milion dollarë në vit për 1000 ha tokë, ku të tjerët marrin më shumë. Ne humbasim mbi 100 mijë dollarë nga mospunimi i kësaj toke. Toka djerrë është një aset që ne duhet të kthejmë vëmendjen.  Por nuk mund të kthejmë vëmendjen nëse nuk marrim çertifikatën e pronës, askush nuk do interesohet për tokën. Prandaj, ata që aplikojnë të kenë përparësi në marrjen e dokumentacionit. Nëqoftëse ai do të skualifikohet për mungesën e këtyre dokumenteve, ata të cilët nuk e kanë dhënë duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo është kërkesa jonë si KASH. Jemi në një aktivitet të plotë për mbrojtjen  e interesave dhe do të paraqesim fakte për ata që kërkojnë të pengojnë  zhvillimin e projekteve dhe disbursimin e fondeve të IPARD.

Më 7 mars është marrë një vendim për vendosjen e taksës së pronës edhe në stallat bujqësore, ju si e komentoni?

Kjo është një çështje që nuk dimë sesi do të zbatohet, nëse do të zbatohet me rigoroziet nuk përbën një prolem të madh. Shqetësimi kryesor jane vlerësuesit, si ata do i trajtojnë, si stalla makazina apo si makazinat e tjera në qytet. Nësë nuk trajtohet siç duhet do përfundojë si taksa e tokës. Për mua më mirë do ishte që të kete taksa diekte sesa indirekte.