Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës

Rezultate imazhesh për furrat e bukes

Për furrat e bukës dhe të gjitha kompanitë që prodhojnë bukë në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Këshilltari i Bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) Agim Nashi shpjegoi në një intervistë për ATSH-në, se ERE ka pasur gjithnjë në konsideratë respektimin e vendimeve të qeverisë, për konsumatorët e privilegjuar ndër të cilët buka, ka qenë një nga konsumatorët kryesorë të privilegjuar duke qenë se është dhe pjesë e shportës.

“Buka sot ka një çmim të privilegjiuar të energjisë elektrike, që është vendosur prej kohësh dhe vazhdon ta mbajë atë çmim. Të gjitha aktivitetet e tjera, që nuk janë bukë, por janë  çfarëdo tjetër, do të trajtohen si konsumatorët e tjerë komercial, që nuk janë konsumatorë të privilegjuar”, deklaroi Nashi.

Qeveria ka vendosur një çmim preferencial prej 7.6 lekë për energjinë elektrike që përdorin furrat e bukës. Por disa vite më vonë dhe gradualisht bizneset që u licencuan si furra buke,  nisën ta përdornin këtë lloj biznesi edhe për të tregtuar mallra të tjerë.

Në këtë mënyrë OSHEE ka nisur ta faturojë energjinë si bizneset e tjera me 14 lekë për kilovat ora çka ka sjellë reagimin e shoqatës së prodhuesve të bukës, e cila ka kërkuar aplikimin e çmimit preferencial edhe për këto biznese.

ERE sqaron se çmimi i energjisë me 7.6 lekë është vetëm për furrat e bukës dhe jo në rastet kur furrat e bukës tregtojnë edhe produkte të tjera.