KASH kërkon një paketë të plotë fiskale, konkuruese me paketat fiskale të vendeve të rajonit për nxitjen e bujqësisë, agrobiznesit dhe agroturizmit

 paketa

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi një takim me shoqatat e agrobiznesit, duke hapur konsultimet për paketën fiskale Qershor 2018, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj. Në këtë takim, Rrapaj parashtroi kërkesat dhe alternativat për paketën fiskale në ndihmë të bujqësisë. KASH kërkon një paketë të plotë fiskale, konkuruese me paketat e tjera fiskale të vendeve të rajonit per nxitjen e bujqësise, agrobiznesit dhe agroturizmit. Ministri ArbenAhmetaj ka prezantuar pikat kryesore të paketës fiskale, si ulja e tatim fitimit në 5 për qind për bizneset me xhiro vjetore nga 8-14 milion lekë, lehtësi në agroturizëm dhe bujqësi si dhe në investimet në energjinë diellore. Ndërsa, sipërmarrësit kanë listuar një sërë kërkesash, të cilat sipas tyre duhet të përfshihen në paketën fiskale, ku kryesorja është ulja e TVSH-së për disa sektorë, ulje të mëtejshme të tatim-fitimit, një paketë të plotë për bujqësinë duke ndjekur shembullin e rajonit, heqjen e taksës së pronës për apartamentet në stok, heqjen e taksimit 3 për qind për ndërtuesit që marrin leje për sipërfaqe mbi 2 mijë metër katror si dhe kufizim të ndërtimeve në zonat turistike. Për disa nga kërkesat Ministri Arben Ahmetaj ka kthyer përgjigje direkte, ndërsa ka theksuar se do të rishikohen më në detaj. Paketa fiskale për vitin 2019 do të bëhet me dy hapa, ku paketa paraprake do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, ndërsa do të ketë edhe një paketë më të kompletuar që do të miratohet në vjeshtë.