Kryetari i KASH, evidenton propozimet për paketën e re fiskale, problematikat për SHBB-të dhe fondet IPARD

RRAPAJ

Këshilli i Agobiznesit Shqiptar ka nisur punën për të reflektuar ndryshime ligjore në paketën fiskale te vitit të ardhshëm, ku një grup propozimesh do t’i shkojnë qeverisë shqiptare. Të gjithë fermerët që duan të aplikojnë për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian tashmë do të nisin të aplikojnë prej muajtit shtator, por ҫështje për t’u zgjidhur mbeten edhe problematikat që shoqërojnë Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, të ngelura pezull midis qeverisë dhe KASH. Si do të jetë niveli i taksave ndaj fermerëve, gjithashtu si do të vijojnë aplikimet për fondet IPARD? Për këtë kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, i ftuar në TV Scan, ka evidentuar zgjidhjet dhe propozimet e KASH. Ai foli për domosdoshmërië që ka bujqësia shqiptare për kooperim, për ndryshimin e ligjit për SHBB-të, propozimet e KASH për paketën e re fiskale, si edhe për taksat indirekte ndaj fermerëve dhe fondet IPARD.

Intervista e plotë

Cilat janë disa nga problematikat që shoqërojnë Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor?

Problemet që shoqërojnë Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor janë ndër problemet e pazgjidhura, të gjithë duan të zgjidhen por nuk po hyn në rrugën e zgjidhjes përmes akteve të duhura. Nuk ka një urdhër, një akt nga Ministria e Bujqësisë që ligji për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor të fillojë të amendohet. Nuk  kemi një punë grup pune të ngritur, nuk janë marrë akoma mendimet zyrtarisht nga SHBB-të e krijuara, mendimet e KASH apo të shoqatave të tjera simotra që janë të interesuara të ndryshojë ky ligj. Jemi të interesuar dhe po këmbëngulim fort që forma e organizmit e deritanishme të ndryshojë, pasi është dështuar. Nga kjo pikëpamje kërkohet një formë tjetër organizimi. Ndër modelet e promovuara në botë është kooperimi midis fermerëve. Shqipëria e ka domosdoshmëri kooperimin, pasi kemi 354 mijë ferma të copëzuara. Qeveria thotë që jeni të lirë për tu bërë kooperativë, ndërsa biznesi kërkon ligjin për SHBB-të dhe të dyja palët ngelen në vend prej disa vitesh. Prandaj është e domosdoshme të nisim negociatat, të nisë puna, veprimtaria konkrete, në mënyrë që të bëhen realitet ato që kemi kërkuar dhe kemi pranuar të gjithë. Në ҁdo takim, kryeministri thotë që duhet të grupoheni sepse të grupuar do të fitoni më shumë, të njëjtën gjë edhe ministri i bujqësisë, i ekonomisë, edhe donatorët, ateherë mendoj se përse duhet të presim akoma. Kjo është një pyetje që na bën të mendojmë që për një ҫështje që të gjithë kanë rënë dakord, asnjëri nuk fillon punë. Pavarësisht se secili mbron pozicionin që ka, por deri më sot sektori privat me këtë ligj të mangët ka krijuar 100 kooperativa të cilat nuk kanë funksionuar siҫ duhet, shumë prej tyre janë të bllokura. Ne mendojmë që të thërrasim të gjithë themeluesit e këtyre SHBB-ve në mënyrë që të ballafaqojmë edhe njëhërë dhe të ngremë zërin që përse nuk po ecën ky proҫes, apo përse nuk po amendohet ky ligj. Zhvillime në këtë proҫes ka pasur. Qeveria me një vendim të posatshëm hoqi TVSH-në. Nëse bashkohen fermerët, kësaj njësie të bashkuar u hiqet TVSH-ja, është një masë e domosdoshme që duhet të përfshihet në ligj. Elementi i dytë është që ulën tatamin e fitimit, edhe kjo është një masë e domosdoshme dhe një masë e tretë është diferencimi në pikë. Kooperativat apo SHBB-të fitojnë një bonus me pikët në aplikime për fonde. Po pse këmbëngulim ne që duhet të plotësohet ligji dhe që nuk mjaftojnë vetëm këto tre element? Ligji duhet të plotësohet për disa arsye. Së pari janë kostot operacionale. Këto kosto janë një barrë shumë e rëndë për SHBB-të, duhet të ndërhyjë patjetër shteti, donatorët, ne së bashku, në mënyrë që të fillojmë me punën konkrete duke trajnuar këta drejtues të SHBB-ve, që duke u marrë atyre mendimin, të ndërhjmë në këtë ҫështje. Kjo është detyra jonë dhe duhet ta bëjmë, por detyrë mbeten  edhe kostot e tjera operacionale sepse me krijimin e SHBB-ve do të krijohet edhe një formë e re organizimi, pasi ato do të kërkojnë staf për t’u drejtuar, disa mjete të domosdoshme për të funksionuar. Në të njëjtën kohë kemi disa asete të pashfrytëzuara, të papërdorura, janë shumë toka që janë dierrë, nuk i ka marrë askush dhe shumë fermerë i kanë refuzuar. Fermerët nuk kanë mjetet e duhura për të punuar këtë tokë, po edhe nga emigracioni, të rinjtë janë larguar dhe të moshuarit merren kryesisht me blegtori. Elementi i dytë ka të bëjë me efiҫencën e ulët. Me toka kaq të kufizuara në sipërfaqe dhe me rendimet kaq të ulët për hir të mekanikës së vjetëruar, inputeve me ҫmime të larta, nuk i bën të interesuar fermerët për ta marrë dhe për ta punuar tokën. Pra, të gjitha këto asete, pyje, livadhe, toka të lëna dierrë, ujra të ndryshëm që në kemi me shumicë t’u vihen në dispozicion SHBB-ve, në një periudhë afatgjatë, të parashikuar me ligj, në të kundërt do të mbetemi kështu siҫ jemi.

Përveҫ SHBB-ve do ndalesha tek paketa fiskale e vitit 2019, ku ju jeni ulur në tavolina të ndryshme për të diskuatuar. Në ҫfarë faze jemi tani?

Diskutimi ka filluar, para disa ditësh ministri i ekonomisë dhe financës bëri të ditur edhe objektivat që qeveria synon për paketën fiskale 2019. Këtu kemi tre elementë që qeveria i ka marrë në konsideratë. Së pari agroturizmi. SHBB-të që do të merren me agroturizmin do të kenë lehtësi fiskale, TVSH-ja do jetë 6%, nuk do të ketë tatim fitimi pasi do të përfitojë lehtësitë që ka turizmi. Ky është një element pozitiv dhe këtij segmenti të zonave rurale do t’u jepet një trajtim i veҫantë, një mbështetje dhe duhet të përgatitemi në maksimum për këto lehtësi që ofron qeveria për këtë grup pune. Elementi i dytë ka të bëjë me SHBB-të, mospagesën e TVSH-së, nuk do të ketë kufizime për të ardhurat, u ul masa e tatimit.

 Presim që të rregullohen edhe disa elementë të tjerë që ka të bëjë me heqjen e disa taksave,  të cilat janë të lidhura ngushtë me disa zhvillime që po ndodhin tani me tregun. Po krijohet tregu rajonal, proҫesi i Berlinit. Si rezultat i këtij proҫesi ne duhet që paketën fiskale për bujqësinë ta afrojmë me vendet e tjera dhe me vendet që kemi marrëdhënie ekonomike të ndërsjellta. Ne kemi këmbungulur fort që paketa fiskale të jetë në këto nivele, por ne kemi disa probleme që duhet t’i zgjidhim dhe ne duhet të futemi në diskutime me qeverinë. Kemi tre elementë te rëndësishëm, së pari taksimin indirekt në zonat rurale. Kemi ҫmimin e karburantit më të lartë krahasuar me vendet e rajonit, kemi ҫmimin e inputeve me ҫimime te larta, kemi një disnivel të raportit eksport- import dhe ky është një problem i madh. Paketa fiskale 2019 duhet të orientohet rreth kërkesave tona, në mënyrë që të mos ndodhemi përpara vështirësive dhe konkurencës së pandershme. Këto janë kërkesat tona që ia kemi paraqitur edhe ministrit të ekonomisë dhe financës, propozime që do t’ia bëjmë edhe ministrit të bujqësisë. Ҫmimi i energjisë elektrike, sidomos në zonën e eksportit dhe tani në verë është një problem i madh për pikat e grumbullimit. Po kthehet në një problem ku ne shpesh po dëmtojmë cilësinë e produkteve tona për koston e madhe që ka energjia për mbajtjen e këtyre frigoriferëve. Kjo ҫështje është pjesë e punës në vijim

Z. Rrapaj ҫfarë mund të themi për fondet IPARD dhe shtyrjen e aplikimeve?

Duhet të përsërisim që fondet IPARD janë jashtëzakonisht të vështira për t’u disbursuar, e ka treguar praktika e vendeve të tjera ashtu edhe eksperienca jonë. Ekspertët dhe institucionet e Brukselit janë jashtëzakonisht rigoroz. Ne duhet të dimë ku ata nuk tolerojnë, pasi nuk u përgatitëm siҫ duhet në maj për të plotësuar të gjitha kërkeat që ata kishin. Nuk është se do humbasim prej shtyrjes së aplikimeve, por duhet të përgatitemi që të hapen të treja masat e IPARD-it  në shtator, që të arrijmë të disbursojmë maksimalisht dhe të gjitha projektet që kanë aplikuar të shpallen fitues. Për këtë KASH është angazhuar në ngritjen e disa grupeve të punës, përmes ekspertëve, në mënyrë komplekse duke shfytësuar të gjitha studimet që ne kemi, duke shfrytëzuar eksperiencën që ka Këshilli i Ekspertëve të Agrobiznesit. Ne po u bëjmë thirrje, po i nxisim ata që edhe pse në të shkuarën me ide të qarta dhe pozitive kanë aplikuar por nuk janë shpallur fitues, t’i rikthehen proҫesit sepse ka ndryshuar situata, ka më shumë fonde, duken të interesuara të gjitha palët. I pandryshueshëm është fakti që nëse nuk plotësojmë kriteret e kërkuara, nuk mund të disbursojmë, prandaj  të punojmë që të plotësojmë mungesën e financimit që keni pasur deri më sot.