Shqipëri-Kosovë, autoritetet kombëtare të Ushqimit forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

Shqipëria dhe Kosova po intensifikojnë bashkëpunimin për forcimin e sigurisë ushqimore.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Edmond Rrushi dhe drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës, Bekim Hoxha, zhvilluan të martën në Tiranë një takim pune, ku diskutuan për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ushqimore.

Në fokus të takimit ishin çështjet e implementimit të marrëveshjeve dypalëshe mbi sigurinë ushqimore, gjithashtu edhe për t’i dhënë një hov zbatimit të tyre.

Gjithashtu u vu theksi në ngritjen e grupeve të punës, si një domosdoshmëri në lehtësimin e proceseve të tregtisë së mallrave ushqimore ndërmjet dy vendeve tona.

Diskutime gjatë këtij takimi pati edhe për deklarimet shtesë për importin e kafshëve të gjalla nga Kosova, gjithashtu edhe njoftimet ndërmjet dy autoriteteve, në rastet e ndalimeve në kufi të eksport-importeve të produkteve ushqimore.